'Masakra e Reçakut’/ Kurti pret Ambasadorin William Walker: Rol historik në dokumentimin e krimeve të luftës nga Serbia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në zyrë Ambasadorin William Walker në prag të 25 vjetorit të Masakrës së Reçakut.

‘I jemi falënderues përherë Ambasadorit për rolin e tij historik e të pazëvendësueshëm në krye të Misionit Verifikues të OSBE-së, për të vërtetën, për dokumentimin e krimeve të luftës që Serbia ka kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës’, shkruan Kurti në Facebook.

Postimi i plotë:

Në prag të 25-vjetorit të Masakrës së Reçakut, mirëprita në kryeministri Ambasadorin William Walker.

Shkëmbyem kujtime prej 26 viteve që kur që jemi takuar për herë të parë. Kënaqësi t'i dëgjoj vlerësimet e Ambasadorit për zhvillimin e Kosovës si shtet dhe arritjet tona në vitet e fundit, si një nga vendet më demokratike në Evropë.

Me neve ishte edhe Atdhe Hetemi, Drejtori i Institutit për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Bashkë me të, sikurse secili qytetar, i jemi falënderues përherë Ambasadorit për rolin e tij historik e të pazëvendësueshëm në krye të Misionit Verifikues të OSBE-së, për të vërtetën, për dokumentimin e krimeve të luftës që Serbia ka kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Sivjet, kur do ta festojmë një çerek shekull prej çlirimit të Kosovës, shprehim si çdo vit mirënjohjen tonë për të gjithë që kanë kontribuar duke dhënë nga vetja e më së shumti ata e ato që sakrifikuan veten.