Lufta hibride/ Finlanda do t’i mbajë mbyllur edhe një muaj tjetër, pikat kufitare me Rusinë

Qeveria finlandeze thotë se njerëzit po presin përtej kufirit në Rusi që kufiri të rihapet, kështu që ata do të të përpiqen të kalojnë.

Finlanda po e zgjat mbylljen e kufirit të saj lindor me Rusinë edhe për një muaj tjetër, sepse dyshon se Moska po përpiqet të minojë sigurinë e vendit nordik duke dërguar emigrantë pa dokumente përtej kufirit.

Ministrja e Brendshme Mari Rantanen, nga Partia e ekstremit të djathtë finlandez, e bëri njoftimin në një konferencë shtypi në Helsinki të enjten pasdite.

Finlanda e mbylli kufirin në fund të vitit të kaluar pasi 1300 emigrantë pa dokumentacion apo vizat e duhura kishin hyrë që nga shtatori - një numër jashtëzakonisht i lartë, vetëm disa muaj pasi Finlanda u bashkua me NATO-n.

Finlanda akuzoi Rusinë se po synonte të çonte emigrantët në kufirin e saj të kontrolluar mirë. Kremlini i mohoi akuzat dhe tha se i vinte keq për mbylljen e kufirit finlandez.

Mbyllja e fundit do të zgjasë deri më 11 shkurt.

"Ka njerëz në zonat afër që presin hapjen e kufirit," u tha Rantanen gazetarëve.

Emigrantët që mbërritën në muajt e fundit të vitit të kaluar ishin kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika - veçanërisht nga Siria, Somalia dhe Jemeni - dhe shumica dërrmuese e tyre kanë kërkuar azil në Finlandë.

Ata aktualisht po mbahen në qendrat e pritjes së emigrantëve në pjesë të ndryshme të vendit, ndërsa presin një vendim nga autoritetet.

Shumë njerëz në Finlandë i kanë karakterizuar veprimet e supozuara të Moskës si hakmarrje për anëtarësimin e vendit nordik në NATO në prill të vitit të kaluar, por ekspertët finlandezë të sigurisë kanë thënë se motivi kryesor i Rusisë për manovra të tilla emigrantësh mbetet i paqartë.

Qeveria e kryeministrit Petteri Orpo fillimisht zgjodhi mbylljen e kufirit prej 1,340 kilometrash në nëntor, duke përmendur shqetësimet e sigurisë dhe "luftën hibride" të Rusisë. Më vonë, ajo hapi dy pika kontrolli të përzgjedhura në Finlandën lindore dhe veriore në baza prove, por fluksi i emigrantëve vazhdoi.

Të tetë pikat e kalimit kufitar Finlandë-Rusi për pasagjerët janë mbyllur që nga 15 dhjetori. Pika e kontrollit hekurudhor juglindor për trenat e mallrave në Vainikkala mbetet e hapur për momentin.

Finlanda, një komb me 5.6 milionë banorë, vepron si kufiri i jashtëm i Bashkimit Evropian në veri dhe përbën një pjesë të konsiderueshme të krahut verilindor të NATO-s./ar.sh/SYRI.NET