Trump ndau informacione sekrete me rusët? Putin: Skizofreni politike, do ju tregoj regjistrimet

Vladimir Putin ka përshkruar raportet se Presidenti amerikan Donald Trump ka zbuluar sekrete kombëtare për Ministrin e Jashtëm rus si "skizofreni politike".

Presidenti rus ka thënë se është i gatshëm të sigurojë regjistrimet e takimit të Trump me zyrtarë të lartë rusë, duke këmbëngulur se Presidenti amerikan nuk ka ndarë informacione të klasifikuara.

"Nëse administrata amerikane e sheh të mundur, ne jemi të gatshëm t'i japim Senatit dhe Kongresit transkriptin e bisedës midis Lavrov dhe Trump", tha Putin në një konferencë shtypi, pas një takimi me kryeministrin italian.

Mediat amerikane raportojnë se Presidenti Trump i ka thënë ministrit të Jashtëm të Rusisë një informacion të klasifikuar.

Sipas “Washington Times”, zbulimi i informacionit të klasifikuar nga Trump konfirmohet nga zyrtarë dhe ish-zyrtarë në Uashington.

Mediat amerikane raportojnë se informacioni ishte siguruar nga një vend partner i SHBA në bazë të një marrëveshje për ndarjen e informacioneve mes Inteligjencës amerikane dhe Inteligjencës së shtetit në fjalë. Ky informacion konsiderohej shumë sekret aq sa detajet janë mbajtur të fshehta edhe ndaj vendeve aleate të SHBA dhe madje brenda qeverisë amerikane./SYRI.net/