Nikoll Lesi: Pas refuzimit të Ramës, LSI dhe PDIU nuk do të futen në zgjedhje

Nikoll Lesi ka zbuluar sot në gazetën e tij “Koha Jonë”, se çfarë pritet të ndodhë në skenën politike pas “refuzimit të çuditshëm” siç e quan ai, nga kryeministri Edi Rama të paketës McAllister, edhe pse opozita pranoi kushtin e tij të madh, votimin e Vettingut. Në këtë shkrim të firmosur me pseudonimin e e tij të preferuar mediatik, Spiten Prulli, ai paralajmëron se nëse Rama vazhdon të këmbëngul duke hedhur poshtë propozimin e McAllisteri për zgjidhjen e krizës, i mbështetur edhe nga zyrtari i lartë amerikane  Hot Bryan Lee, LSI-ja dhe PDIU do ti bashkohen opozitës dhe do të refuzojnë të marrin pjesë në zgjedhjet e 18 Qershorit, datë kjo që Rama këmbëngul të mos lëvizë.

Duke ditur afrimitetin dhe miqësinë e madhe të Nikoll Lesit me Ilir Metën, lind dyshimi i arsyeshëm se këtë informacion ai e ka direkt nga themeluesi i LSI-së, Ilir Meta. Një mundësi tjetër është, që Meta nëpërmjet Lesit ka dashur që të paralajmërojë Ramën që të tërhiqet sa më shpejtë nga qëndrimi i tij absurd, që shkatërron zgjidhjen e krizës.

Ja çfarë shkruan Nikoll Lesi sot në gazetën e tij:

“Tashmë gjërat janë pothuaj krejt të qarta. Mbrëmë PD dhe partitë parlamentare të opozitës vendosën që të votojnë pa asnjë kusht Vettingun dhe të futen në zgjedhje edhe me kryeministër Edi Ramën. Por natyrisht me kërkesë për shtyrje zgjedhjesh si dhe me disa kushte plotësuese sipas paketës McAllister të mbështetur edhe nga zyrtari i lartë amerikan Hot Bryan Lee. Ishte një hezitim i madh i PD-së, porse më në fund pranoi. I çuditshëm mbetet reagimi i kryeministrit Edi Rama. Në vend që ta mirëpriste vendimin e opozitës, duket se u gjend papritur para një lëvizje shahu e cila quhet shah-mat dhe loja mbyllet. Sipas burimeve nga selia e PS-së si dhe nga kryeministria mësohet se kryeministri nuk pranon asnjë kusht të opozitës, pra as datën e shtyrjes së zgjedhjeve. Rama mbetet për 18 qershorin. Opozita kërkon shtatorin, por mund të negociohet edhe për muajin korrik.

Mbrëmë në ora 23.40 nga zyra e PD-së u njoftua se deklarata e partive të opozitës do shtyhet për ditën e mërkurë, datë 17 maj. Zyrtari i lartë i SHBA Hot Bryan Lee mbështeti paketën MCAllester, të cilën mbrëmë e pranuan PD-ja dhe partitë e opozitës. Çuditërisht nuk është mirëpritur nga selia e PS-së vendimi i opozitës. Sot pritet vendimi i kryeministrit Rama në lidhje me vendimin e PD dhe nëse mbetet negativ, pra pa një marrëveshje të firmosur PS-PD për shtyrje zgjedhjesh, pasi Vettingu do votohet nga opozita, atëherë do ketë një surprizë të pakëndshme në gjirin e mazhorancës. LSI dhe PDIU do deklarojnë mos futjen në zgjedhjet e 18 qershorit pa opozitën, e cila pranoi Vettingun dhe futjen në zgjedhje edhe me Edi Ramën kryeministër.

Kjo do ta komplikojë krejtësisht tablonë politike. Pas kësaj do të mbeten në zgjedhjet e 18 qershorit vetëm dy parti: PS dhe LIBRA. Ose dy ish-miqtë, Rama dhe Blushi.

Më pas nuk dihet si shkon dueli politik!”.