‘Unë Edi Ramën e ve në majë të...kapeles!’ (IRIQI bisedon me Eduard Ndocaj, kaubojsin)

Iriqi:- Pse mban përherë kapele?

Ndocaj:- Ajo kushton më lirë. Për 20 euro bëhesh njeri i veçantë. Se që të bëhesh p.sh.mjek duhen kaq e kaq vite shkollë. Kupton?

Iriqi:- Po pse ti je pa shkollë të lartë?

Ndocaj:- Pa atë të vërtetën,se të blera kam për ekonomi,juridik dhe diplomaci.

Iriqi:- Pra ti je pa standarte.

Ndocaj:- Po kush qenka me standarte? Ata që vrasin,ata që vjedhin,ata që trafikojnë motrat tona?

Iriqi:- Ndërsa pasuri ke goxha. U botua deklarata jote.

Ndocaj:- Kam dy lekë nga biznesi e tre lekë detyrim në banka. Kështu iku krejt klasa e sipërmarrësve. Nga biznesmenë u bënë kredimenë. Hapën punëra dhe bënë projekte,morën para nga bankat ,por u erdhi kuçedra e ua piu ujët. Tani fiton ai dhe ca miqtë e tij.

Iriqi:- Kush ai?

Ndocaj:- Edi Rama. Ekonomia po rritet me 3 % gëzohet kryeministri,por harron që borxhi vajti 72 %. Kështu që rritjen e ka për të shlyer interesat,pastaj ngelet lesh,ose Niko. Thuaje hapur që rritja është 0%. Ndaj nisi koncesionet. Që të vjedhë për 35 vitet e ardhshme. Grabitje brezash,varferim i shqiptarëve.

Iriqi:- Po ai di më shumë se ti.

Ndocaj:- Nuk ka se si. Ai piktor e unë piktor. Ai i gjatë,unë i gjerë. Ai pi mall,unë ujë. Ku ma kalon pra. Ja,po e deklaroj. Unë Edi Ramën e ve në majë të kapeles. I kam kërkuar të bëjë debat. Shmanget se e di si përfundon.

Iriqi:- Por ama e votove çdo ligj të tijin.Pse?

Ndocaj:- Sepse ai çdo ditë më premtonte.

Iriqi:- Donte të të korruptonte?

Ndocaj:- Jo,jo. Por më tha së fundi voto vettingun e Lezhën do e bëj me stadium. U gëzova sa më s'ka.

Iriqi:- Dhe?

Ndocaj:- Më pas qeshte e më thoshte si më beson mua ,kur dhe me Metën u bashkuam më 1 prill.

Iriqi:- Pse je i ashpër me Metën?

Ndocaj:- Se nuk la tullë pa vjedhur. Tani po the vetë që je hajdut nuk të arreston policia se e dinë që je i LSI-së.

Iriqi:- Beson se do fitosh në Lezhë?

Ndocaj:- Nuk kam hallin e fitores,dua që të mos lejoj të vidhet një votë.

Iriqi:- Po gjithë ajo drogë do blihen vota.

Ndocaj:- Lekët t'i marrin,por votën ta çojnë sipas zemrës.

Iriqi:- Si parasheh rezultatin?

Ndocaj:- Dua që të dalë një parti të rinjsh e t'i fshijë krejt partitë e vjetra. Ndryshe,ky vend do ngelet lanfilld plehrash. Vec pleq dhe ajër i ndotur.

Iriqi:- Edhe PS po thotë të zhdukim politikanët e vjetër.

Ndocaj:- Hahah,dëgjova Saimir Tahirin sot që thoshte na votoni ne se do fshijmë nga faqe e dheut gjithë të vjetërit. E në krah kishte Ruçin,më arkaikun e më mumjen e deputetëve. Ka qënë qysh me Haxhi Lleshin. O zot si nuk bëhet ndonjë shpikje e karriket e parlamentit t'i kthejë në elektrike. Ashtu shpeton shoqëria shqiptare. Ose...

Iriqi:-Ose?

Ndocaj:-Mbase ndonjë aeroplan amerikan ngatërron shenjestrën e në vend të ndonjë shpelle me terroristë,qëllon mbi...Hahaha,kot e them se ne jemi popull pa fat. /SYRI.net/