KFOR: S'ka trupa shtesë por procedurë e pranim-dorëzimit

Misioni paqeruajtës në Kosovë, KFOR ka reaguar pas raportimeve të ditëve të fundit nga mediat në Serbi dhe në Kosovë, se Shtetet e Bashkuara po planifikojnë të dërgojnë 130 trupa shtesë në Kosovë, në kuadër të KFOR-it.

Përmes një njoftimi për media, KFOR thotë se “dislokimi i ardhshëm i trupave amerikane është një procedurë rutinore e dorëzim-pranimit ndërmjet dy kontingjenteve të rotacionit së SHBA-ve dhe jo kontribut shtesë i SHBA-ve”.

KFOR thotë se vazhdon me aktivitete për të mundësuar një ambient të sigurt dhe për të ofruar lirinë e lëvizjes për të gjithë popullin e Kosovës, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Çdo vendim për qëndrimin dhe strukturën e forcave të KFOR-it merret nga Këshilli i Atlantikut të Veriut, bazuar në kushtet e sigurisë në terren”, thuhet në njoftim. /REL/