DETAJE/ Rama rrëzon tërësisht paketën McAllister dhe Yee, ja pikat e tjera që ka kundërshtuar

Syri.net ka mësuar të tjera detaje nga refuzimi i paketës McAllister nga ana e Kryeministrit Edi Rama, që do të çonte në zgjidhjen e krizës politike.

Më herët raportuam se Rama nuk pranonte shtyrjen e zgjedhjeve përtej 18 qershorit, duke refuzuar këtë paketë.

Jo vetëm kaq, por nga burime konfidenciale Syri.net ka mësuar gjithashtu se Kryeministri Edi Rama ka hequr dorë edhe nga postet ministrore që do t’i jepeshin opozitën sipas paketës McAllister, të pranuar edhe nga zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit Hoyt Brian Yee.

Rama është dakord që opozitës t’i japet vetëm posti i ministrit të Arsimit dhe e drejta për të emëruar drejtorët e policisë nëpër qarqe dhe asgjë më tepër.

Pra, paketa McAllister me ndryshimet përkatëse, e mbështetur nga zyrtari i DASH Yee, është rrëzuar pothuajse tërësisht nga Kryeministri.

Burime të afërta me Kryeministrin, bëjnë me dije për Syri.net se Edi Rama e ka refuzuar ofertën pasi e trajton zv/ndihmës sekretarin amerikan të shtetit Hoyt Brian Yee si një zyrtar në largim nga posti që mban.

Nga ana tjetër, kryetari i PD Lulzim Basha dhe partitë opozitare e kanë pranuar paketën McAllister të mbështetur nga Yee dhe janë shprehur të gatshëm të votojnë vetingun. 

Në të tilla kushte refuzimi nga Kryeministri Rama, duket se opozita do të vazhdojë të qëndrojë në çadrën e lirisë. /SYRI.net/