6 prokurori vihen në lëvizje për trukimet e ndeshjeve në Shqipëri

Prokuroria Shqiptare vihet në lëvizje për trukimet e ndeshjeve të futbollit, gjatë kampionatit shqiptar të viteve 2013-2014. Gjashtë prokurori, ajo e Tiranës, Durrësit, Vlorës, Korçës, Kurbinit dhe Kavajës po hetojnë klubet e këtyre qyteteve për paracaktim të rezultateve, raporton Abc News.

Bëhet fjalë për dosjen e sjellë nga dy përfaqësuesit e UEFA-së në prill të 2014, Emilio Garcia shef i komisionit te disiplines në Qeverinë Europiane të Futbollit dhe Ulf Kluser oficer i integritetit në UEFA. 

Sipas prokurorisë, në dosjen e ardhur nga UEFA janë ngritur dyshime se ekipet si Skëndërbeu, Teuta, Flamurtari, Laçi, Tirana dhe Besa e Kavajës kanë paracaktuar rezultatet sportive. Këto dyshime, thuhet nga dosja e ardhur nga UEFA, janë ngritur për ndeshjet e kampionatit shqiptar dhe në disa ndeshje ndërkombëtare të Champions ligës dhe UEFA-së. Për këto ndeshje ndërkombtare, të deleguarit e UEFA-së kanë drejtuar gishtin në drejtim të ekipit të Skënderbeut dhe Teutës, të cilët edhe po hetohen nga prokuroritë përkatëse. 

Dosja hetimore, mësohet se ka qenë për më shumë se dy vite në hetim nga Prokuroria për Krime të Rënda me dyshimin e trukimit të ndeshjeve në funksion të “grupit të strukturuar kriminal”. Burimet thonë se për llogari të këtij hetimi janë kryer veprime të shumta proceduriale duke përgjuar edhe futbollist e president të klubeve.

Në përfundim të këtij hetimi, burimet nga Prokuroria për Krime të Rënda thonë për ABC News se nuk u arrit të provohet se gjatë periudhës 2013-2014 zyrtarët e klubeve funksionin si grup i strukturuar kriminal. Për këtë fakt, është vendosur që dosja hetimore ti kalojë në fillim të këtij viti 6 prokurorive të rretheve për vazhdim të hetimeve ndaj këtyre drejtuesve të klubeve e futbollistë të ndryshëm për akuzën e paracaktimit të rezultateve. Dyshimet për manipulimin e këtyre ndeshjeve, thonë burimet, UEFA e ka bazuar nga të dhënat e kompanisë “Federbex” e cila kishte  kontraktuar edhe një kompani investigimi për monitorimin e këtyre ndeshjeve, që kanë hedhur dyshime për trukime.

 Por pavarësisht kalimit të dosjeve për hetim në prokurorit e rretheve, ende nuk ka një vendimarrje nga prokurorit, për të marrë në përgjegjësi penale ndonjë individ apo klub futbolli. Nga ana tjetër, akuzat publike për trukime të ndeshjeve në kampionatin shqiptar vazhdojnë si nga klubet edhe zyrtarët e lartë të federatës së futbollit.