Rumania feston zbulimin më të madh të gazit në dekada

Politikanë dhe krerë të kompanisë së gazit morën pjesë në prezantimin zyrtar të depozitës më të madhe të gazit të zbuluar në vend në tre dekada - ndërsa Rumania përpiqet të bëhet qendër rajonale e energjisë.

Kompania energjetike Rumune Romgaz përuroi të enjten depozitën më të madhe të zbuluar në tre dekada në tokën Rumune me pjesëmarrjen e kryeministrit Sorin Grindeanu dhe kreun e partisë Social Demokrate në pushtet Liviu Dragnea.

Romgaz, kompania më fitimprurëse shtetërore, njoftoi zbulimin e depozitës që vlerësohet se mban 150-170 milionë boe – fuçi ekujvalente të naftës – në Karagea, konteja Buzau, verilindje e Bukureshtit në qershor 2016.

Depozita e re pritet të përmirësojë perspektivën e kompanisë pasi fitimet e saj neto ranë më 2016 me 14 për qind, për shkak të importeve më të larta, kërkesës më të ulët për gaz në sektorët kyçë dhe një rënie botërore e çmimeve të gazit.

Prodhimi ra gjithashtu me 25 për qind ndërsa shitjet ranë me 17 për qind.

Kompania e gazit, bashkë me kompaninë austriake OMV Petrom, kontrollojnë pothuajse të gjithë prodhimin e gazit në Rumani. Sipas ROmgaz, kompania do të vijojë të eksplorojë shtatë vende të tjera në tokë.

OMV Petrom, prodhuesi më i madh i gazit dhe naftës në Europën Juglindore, bashkë me kompaninë Romanian Hunt Oil filluan gjithashtu vitin e kaluar shfrytëzimin eksperimental të një depozite gazi e cila gjendet gjithashtu në rajonin Buzau, ku janë investuar 17 milionë euro.

Përgjatë viteve të ardhshme, Rumania pritet të fillojë shfrytëzimin e gazit edhe në dy vende në Detin e Zi. Black Sea Oil&Gas, një kompani me bazë në Rumani pritet të fillojë shfrytëzimin komercial më 2018. Kompania amerikane Exxon dhe kompania më e madhe Rumune OMV Petrom do të pasojnë më 2020.

Për të lehtësuar nxjerrjen e gazit natyror nga Deti i Zi, vendi do të fillojë edhe ndërtimin e BRUA [Bullgari-Rumani-Hungari-Austri], një projekt gazsjellësi punimet për të cilin do të nisin në fund të vitit. Punimet pritet të përfundojnë më 2019.

Sipas ministrit të Energjisë Toma Petcu, sapo të fillojë shfrytëzimi i burimeve në det, Rumania mund të bëhet një lojtar rajonal në sektorin e energjisë. Rumania zë gati 80 për qind të të gjithë gazit natyror të prodhuar në Europën Juglindore.