Aktivistja izraelite: Hamasi e kishte planifikuar që të përdorte dhunën seksuale si armë lufte

Hamasi kishte gati një plan për të përdorur dhunën seksuale si armë lufte. Kjo është ajo që ka bërë të ditur një aktiviste dhe avokate izraelite për të drejtat e grave.

Profesoresha Ruth Halperin-Kaddari deklaroi të hënën se ka parë pamje të disa grave në disa lokacione, gjendja e të cilave nuk i la asnjë dyshim se ato ishin përdhunuar.

Reagimet janë të shumta për vonesën e disa organeve të OKB-së për të pranuar pretendimet për mizoritë seksuale të Hamasit më 7 tetor.

Shkalla e dhunës seksuale të kryer nga Hamasi gjatë sulmeve të tetorit nuk është ende e qartë, por policia izraelite thotë se deri më tani ka mbledhur më shumë se 1500 dëshmi nga dëshmitarë dhe mjekë.

Fotografitë dhe pamjet e drejtpërdrejta të transmetuara nga militantët treguan natyrën e tmerrshme të sulmeve në festivalin Supernova.

Një sërë veprimesh barbare nga përdhunimet në grup deri tek gjymtimi seksual i viktimave të vrarë po hetohen nga policia.

Hamasi i mohon këto abuzime. Një zyrtar, Basem Naim, tregoi për The Washington Post se grupi e konsideron "çdo marrëdhënie seksuale ose aktivitet jashtë martesës si plotësisht haram" - të ndaluar nga Islami.

Aktivistët izraelitë për të drejtat e grave dhe ligjorë u kanë bërë thirrje organizatave kryesore ndërkombëtare që të pranojnë publikisht raportet e dhunës me bazë gjinore, përfshirë dhunën seksuale, pas sulmeve të Hamasit.

Profesoresha Halperin-Kaddari, i cila ka qenë për 12 vjet, anëtare e një konvente të OKB-së për diskriminimin ndaj grave, tha se organeve të OKB-së u janë bërë thirrje që të pranojnë krimet kundër njerëzimit që po bëhen nga grupi militant.