Rama ikën nga Tirana, mban miting në Selenicë të Vlorës

Kryeministri Edi Rama ka lënë sot Tiranën, ku do të zhvillohet protesta dhe ka shkuar sot në Selenicë të Vlorës, në një miting me elektoratin e majtë. Në podium ra në sy prania e ish-kryebashkiakut të Vlorës, socialistit të vjetër, Shpëtim Gjika.

Rama e ka nisur fjalën duke i mëshuar Vetingut dhe duke theksuar se Vetingu i ka mbledhur opozitarët në "çadrën e turpit". Ai ka përsëritur se parlamenti i ri do të nisë punën duke zhbllokuar Vetingun dhe se të gjithë që kanë abuzuar me drejtësinë, do të dalin një për një para saj. Po ashtu, ai ftoi demokratët e thjeshtë ta braktisin PD-në dhe të shkojnë në votim më 18 qershor.

"Mua më vjen shumë keq për ata demokratë, - tha Kryeministri, -  që sot janë braktisur nga lidershipi i tyre, por u bëj thirrje të na bashkohen më 18 qershor, jo për t’u bërë anëtarë të PS-së, jo për të ndryshuar bindjet politike, por për të vënë interesin e vendit mbi gjithçka.

Në fund të ditës, gjykatësit e korruptuar, nuk i ndajnë njerëzit në socialistë e demokratë, por si mish për top; se në pazarin e drejtësisë nuk hyhet me teserë partie, por për të vënë popullin në satërin e drejtësisë; se në fund të ditës, ata që e kanë mbyllur PD-në në atë bunkerin e turpit, nuk e vrasin mendjen për ata atje që kanë humbur pronën.

Demokratët, qytetarët e zakonshëm demokratë duhet të na bashkohen më 18 qershor se ardhmja e tyre është më e çmuar se e ardhmja e Saliut. E ardhmja e Saliut është mbrapa, kurse e tyre është para. Ata duhet të bashkohen me të gjithë socialistët,bashkëqytetar me bashkëqytetar, bashkëfshatar me bashkëfshatar, për vendin e tyre.

Më vjen mirë që Lumi i Vlorës nuk është më një premtim fushatë pas fushate. Ju siguroj se nuk keni parë gjë akoma: Shumë më tepër do të bëjmë për Vlorën, Selenicën, Sarandën dhe gjithë Shqipërinë. Se ne e duam Shqipërinë dhe jemi këtu për Shqipërinë që duam," tha Rama.