Zbulohet në Gjermani një 'dorë artificiale' 600-vjeçare

Një grup arkeologësh gjermanë kanë zbuluar një skelet me një dorë proteze metalike që mund të jetë pothuajse 600 vjeçare. Falë datimit të karbonit, studiuesit vlerësuan se njeriu të cilit i përkiste proteza, vdiq midis viteve 1450 dhe 1620 dhe kur u varros ai ishte midis 30 dhe 50 vjeç. Proteza ishte prej hekuri dhe zëvendëson katër gishtat e munguar. Në raportin shkencor thuhet, se është e paqartë se si burri i humbi gishtat dhe si mund të ketë përdorur protezën.

Walter Irlinger, kreu i Departamentit të Konservimit në Zyrën Shtetërore të Bavarisë për Ruajtjen e Monumenteve, shpjegon: “Proteza në dorën e majtë zëvendësoi gishtin tregues, të mesit, të unazës dhe gishtin e vogël. Gishtat artificialë janë prej llamarine dhe të palëvizshëm. Gishtat protezë janë ndërtuar paksa të lakuar, paralel me njëri-tjetrin. Proteza ndoshta ishte e lidhur në trungun e dorës”.

Brenda protezës u gjet një material i ngjashëm me garzë, të cilin mbajtësi mund ta ketë përdorur për të zbutur veprimin e gjymtyrës artificiale në trungun e dorës.

Arkeologët e gjetën skeletin në një varr pranë një kishe në Freising, afër Mynihut në Gjermani, e cila ishte skena e betejave të shumta ushtarake, duke përfshirë Luftën Tridhjetëvjeçare nga 1618 në 1648, e cila çoi në një rritje të amputimeve dhe kërkesës për proteza.

Kjo lloj proteze duhet të ketë qenë mjaft e zakonshme në atë kohë pasi arkeologët kanë zbuluar më parë rreth 50 proteza të ngjashme në Evropën Qendrore që datojnë nga mesjeta e vonë, afërsisht 1300-1500, deri në periudhën e hershme moderne, rreth 1500-1800. Një nga më të avancuarat ishte mbajtur nga kalorësi gjerman i shekullit të 16-të, Götz von Berlichingen, i cili kishte humbur dorën e djathtë nga një goditje me top. Për të u ndërtua një protezë "e lëvizshme" dhe "teknikisht jashtëzakonisht komplekse".

Sipas Bibliotekës Kombëtare të Mjekësisë, proteza më e vjetër është ajo e një gishti të vetëm, e cila është ndërtuar në Egjipt midis 2600 dhe 3400 vjet më parë. Ndërsa "këmba Capua", një këmbë protetike e gjetur në Itali, daton rreth vitit 300 p.e.s.. Ajo u ndërtua prej bronzi dhe druri për një fisnik romak.