Rrahja e Arbana Xharrës, reagon Presidenti: Jam i tronditur nga kjo që ndodhi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është shprehur i tronditur dhe i shqetësuar me sulmin kundër anëtares më të re të PDK-së, Arbana Xharra.

Thaçi në Facebook ka shkruar se asgjë nuk e arsyeton sulmin ndaj Arbanës, duke kërkuar të zbardhet rasti.

"Jam thellësisht i tronditur dhe i shqetësuar me sulmin kundër Arbana Xharrës. Është krejtësisht i papranueshëm dhe i dënueshëm përdorimi i dhunës dhe asgjë nuk e arsyeton atë.

Si shoqëri nuk bën të lejojmë që dhuna të bëhet mjet i shprehjes së pakënaqësisë sonë.

Me këtë sulm të ulët nuk janë cenuar vetëm Arbana dhe familja e saj, por edhe parimet dhe vlerat demokratike mbi të cilat po e ndërtojmë shoqërinë tonë.

Organet e rendit duhet ta zbardhin në tërësi rastin dhe t’i sjellin sulmuesit para drejtësisë" ka shkruar Thaçi në Facebook.