Performancë e dobët në kualifikueset e 'EURO 2024', Kosova shkarkon trajnerin


Federata e Futbollit e Kosovës njofton se me përfundimin e ciklit kualifikues për Kampionatin Europian 2024, ka përfunduar edhe marrëveshja me trajnerin, Primozh Gliha.

FFK-ja e falënderon trajnerin Gliha për punën e tij në krye të ekipit kombëtar në gjashtë ndeshjet kualifikuese të zhvillura pas shkarkimit të ish-trajnerit, Alain Giresse.

Federata e Futbollit e Kosovës tashmë ka filluar analizimin e thellë të situatës aktuale në ekipin kombëtar A dhe pas kësaj analize, do të merren masat adekuate dhe veprimet e ardhshme, përfshirë edhe angazhimin e trajnerit të ri.

Kosova i mbylli Kualifikueset e Euro 2024 në vendin e pestë të grupit me 11 pikë. Madje ndeshjen e fundit, në “Fadil Vokrri” kundër një kundërshtari jo shumë të fortë si Bjellorusia, “Dardanët” u mposhtën me shifrat 0-1.