BERZH: Shqipëria, vendi me qeverisjen më të keqe në Europë pas Bosnjes

Banka Europian për Rindërtim dhe Zhvillim vlerëson se Shqipëria është vendi me qeverisjen më të keqe në Europë, pas Bosnjes. Në raportin e Tranzicionit për vitin 2023, për treguesin e mirëqeverisjes, BERZH e klasifikon Shqipërinë me 4.71 pikë nga 10 të mundshmet.

Kjo e klasifikon Shqipërinë si vendin e dytë me qeverisjen më problematike në Europë duke lënë pas vetëm Bosnjen, e cila vlerësohet me 4.09 pikë. Në vendin e tretë nga fundit, rezulton Kosova me 4.85 pikë, ndërsa vendet e tjera kanë një vlerësim që luhatet nga 5 deri në 8 pikë.

Indikatori i mirëqeverisjes është një nga treguesit më të rëndësishëm në Raportin e Tranzicionit. Ai mat cilësinë e institucioneve politike dhe ekonomike të një vendi, standardet e integritetit, kontrollin e korrupsionit si dhe sundimin e ligjit. Vec kësaj treguesi mat edhe cilësinë e qeverisjes së korporatave private. 

Por vendi i parafundit në Europë nuk është shqetësimi i vetëm për Shqipërinë. Të dhënat historike tregojnë se ky tregues është përkeqësuar nga viti në viti.

Në vitin 2016, Shqipëria vlerësohej me 5.28 pikë në treguesin e mirëqeverisjes. Vitin e kaluar treguesi zbriti në 4.74 pikë, ndërsa për këtë vit ai ka zbritur më tej në 4.71 pikë.

Në raport BERZH vëren se treguesi i mirëqeverisjes është përmirësuar në pjesën më të madhe të vendeve të Europës, ndërkohë që vendet e vetme ku qeverisja ka shënuar përkeqësim të ndjeshëm janë Shqipëria, Bosnja, Libani dhe Polonia./KAPITALI