Shefi i FMN-së flet për kanabisin: Aktivitetet e jashtëligjshme po ‘pushtojnë’ ekonominë

Shef i përfaqësisë së FMN në Tiranë, Jens Reinke ka deklaruar dje se Shqipëria vazhdon të jetë një vend me ekonomi të madhe informale, ku pjesën më të madhe e zënë aktivitetet e jashtëligjshme përfshi edhe prodhimi i kanabisit.

Ai është pyetur nga Top-Channel se sa është ndikuar rritja ekonomike nga aktivitetet e jashtëligjshme, veçanërisht prodhimi i kanabisit,

“Ne nuk kemi numra por shumë vëzhgues bien dakord, që Shqipëria ka një ekonomi informale të madhe, e cila përbëhet nga disa aspekte.

Një pjesë mund të jetë thjesht evazion tatimor, por sigurisht ashtu si në çdo vend tjetër ka edhe aktivitet të jashtëligjshëm dhe disa nga partnerët në komunitetin ndërkombëtar thonë se kjo është bërë më e theksuar.

Unë nuk mund të them shumë për pjesën me të vërtetë të jashtëligjshme. Ne të gjithë i lexojmë lajmet e gazetave rreth kanabisit, por ndoshta edhe aktiviteteve të tjera të jashtëligjshme, por ato nuk përfshihen në statistikat ekonomike dhe ne nuk mund t’i promovojmë ato”, ka deklaruar Reinke.