Boks/ Kundërshtari bjellorus dëmtohet në krah, triumf dhe titull për shqiptarin Nelson Hysa

Nelson Hysa është fituesi i titullit WBC CISSB në boks për meshkuj.

Eventi që u zhvillua në parkun olimpik “Feti Borova” pa shkodranin më superior se rivali i tij Viktar Chvarkou.

Raundi i parë ishte shumë i kujdesshëm nga të dy boksierët, pavarësisht ndonjë goditjeje sporadike të lojtarëve në ring.

Në të dytin, Hysa ishte më përpara kundërshtarit, madje në fund të këtij raundi, 39-vjeçari lëshoi një breshëri të vërtetë grushtesh mbi bjellorusin Chvarkou.

Pas raundit të tretë, Chvarkou pësoi një dëmtim në krah dhe e kishte të pamundur vazhdimin e duelit.

Tërheqja e boksierit solli fitoren e 12-të për Nelson Hysën, i cili mbrojti titullin kampion.