Ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes, arrestohet 36-vjeçari në Maliq

Një 36-vjeçar nga Maliqi është arrestuar nga Policia, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Policia njofton se bashkëshortja e tij është pajisur me urdhër mbrojtjeje.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq arrestuan në flagrancë shtetasin M. H., 36 vjeç, banues në fshatin Zvirinë, Maliq, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje”, njofton Policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.