Letra e Hahn dhe mesazhi i zgjedhjeve të lira

Letra e Komisionerit Johanes Hahn për qytetarët shqiptarë, ishte vetëm një konfirmim zyrtar dhe i drejtpërdrejtë i paralajmërimeve të bëra më parë nga Brukseli. Nuk kishte asgjë të re në përmbajtje, BE do t’i njohë zgjedhjet edhe pa opozitën, faji për bojkotin është i PD, stabiliteti është kusht për integrimin, opozita nuk duhet të prishë zgjedhjet e 18 qershorit. E papritura e letrës është se u bë pak ditë përpara vizitës së zv.ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, që mendohej se mund të rikthente negociatatat dhe ndoshta edhe marrëveshjen. Letra e Hahn ishte njoftimi që kjo portë është mbyllur dhe PD e humbi shansin, Shqipëria do të hyjë në BE edhe pa të.

Majlinda Bregu më të drejtë e quajti goditjen më të rëndë për PD. Të gjithë e dinin që opozita ishte vetëm, e pambështetur nga ndërkombëtarët, por askush nuk e priste që më shumë se një muaj para datës së zgjedhjeve, t’i jepej fund presionit mbi palët dhe bojkoti të quhej çështje e mbyllur. Legjitimiteti i zgjedhjeve pa opozitën, dukej më shumë si një presion i fortë, si një paralajmërim fatal. Nga e enjtja është realitet. Vizita e zyrtarit amerikan, mund ta ndryshojë ose ta konfirmojë këtë realitet, por shanset janë që 18 qershori të jetë data më e rëndësishme në historinë e shkurtër të postkomunizmit. Qytetarët, marrësit e kësaj letre, ata që votojnë PD dhe ata që e mbështesin kauzën e opozitës, duke lexuar radhët e saj, më shumë se kurrë u vunë në anën tjetër të dilemës që i ka shoqëruar këto muaj, mos ishte gabim e gjitha kjo? Mos ishte i tepruar si reagim? Mos pas kërkesës për zgjedhje të lira është në fakt frika nga Reforma në Drejtësi? Tani që Europa zyrtarisht e quajti gabim, a mjaftojnë thirrjet e Bashës dhe Berishës në  Çadër, për të vazhduar betejën? Në fund fare, a janë zgjedhjet e lira më të rëndësishme se hyrja në Europë?

Në tetor 2016, në kulmin e fushatës elektorale, Donald Tramp deklaroi se zgjedhjet mund të manipulohen dhe i dha të drejtën vetes të mos e njohë rezultatin, disa media të rëndësishme në SHBA e komentuan “mesazhi i duhur, mesazheri i gabuar”. Ishin media që e kishin shpallur mbështetjen për Klinton, por nuk hezituan të mbështesnin shqetësimin që në zgjedhje mund të kishte manipulime apo ndërhyrje nga qeveritë e huaja. Sot në SHBA vazhdon hetimi nga Senati dhe nga FBI për mundësinë e ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhje, por në favor të Tramp. Mesazhi ishte i drejtë, mesazheri ishte i gabuari, ishte pikërisht përfituesi nga ndërhyrja e huaj në zgjedhje.

Në përmasa shumë herë më të vogla, madje të papërfillshme, në Shqipëri, media, politikanë dhe diplomat, po e harrojnë mesazhin dhe po merren me mesazherin, ose e bashkojnë mesazhin me mesazherin për të krijuar alibi dhe për ta bërë të pamundur zgjidhjen. Frika se qeveria do të konfirmohet me ndërhyrje masive në vullnetin e shqiptarëve, nuk ka lidhje vetëm me Bashën. Basha ishte mesazheri, ai mori një shqetësim, një kauzë të të gjithë atyre që, pas zgjedhjeve lokale po kuptonin se qeveria nuk ka frikë nga pakënaqësia e popullit se do t’i blejë votat, që shikonin me frikë se pas fushatës së bekuar nga qeveria për mbjelljen masive të kanabisit fshihej një qëllim elektoral, që konstatuan se blerja e të gjitha mediave dhe lufta ndaj mendimit oponent ishte një strategji elektorale.

Basha e mori këtë kauzë, ndoshta sepse e beson vërtet, ndoshta sepse ka frikë nga Reforma në Drejtësi, ndoshta sepse ka frikë nga zgjedhjet. Mund të jetë njeriu më i gabuar, por kauza nuk është e tij, është edhe e atyre që nuk e votojnë PD, ose nuk votojnë fare, por duan që nga kutitë e votimit të dalë vullneti i popullit, i patjetërsuar, si e vetmja mundësi që qeveritë të bëhen më të përgjegjshme. Nëse kundër kësaj kauze del e gjithë bota, ky nuk është problem i atyre që e besojnë, por i atyre që duan ta përdorin apo keqpërdorin. Basha dhe opozita mund të shkatërrohen nga bombat e Perëndimit duke e mbrojtur me kokëfortësi këtë kauzë (ndoshta edhe duke u fshehur pas saj), por kauza mbetet, konfirmohet çdo ditë që Kryeministri del si pronar i vendit, për të linçuar kundërshtarët. Konfirmohet pas çdo aksioni të Policisë dhe Prokurorisë, jo vetëm se kapen tonë me drogë, por sepse autorët nuk kapen kurrë. Letra e Hahn, mund të verë në dyshim qëllimet e opozitës, por asnjëherë mesazhin.

Vëzhguesit e ODIHR, të Parlamentit Europian apo të Këshillit të Europës mund të bëjnë raporte si në Venezuelë dhe Azerbajxhan, mund të bindin gjithë Botën se zgjedhjet u zhvilluan të lira dhe të ndershme, por nuk mori pjesë opozita. Ky raport, ndryshe nga letra e Hahn, do t’u dërgohet zyrave Perëndimore, por jo shqiptarëve. Ata e dinë që tani se zgjedhjet kanë dështuar.