'Sytë e shpirtit' - Një dokumentar kushtuar miqësisë së veçantë të Osman Kazazit me Luijf, okulistin holandez

Dokumentari “Sytë e shpirtit” me skenar të Blerina Gjokës sjell historinë e miqësisë së ish-të burgosurit politik Osman Kazazi dhe të okulistit holandez Paul Luijf, i cili ndërmerr një mision humanitar duke vizituar ish-të përndjekurit politikë për shikimin e duke dhuruar syze për ta.

Nga SYRI TV

Dhimbja e tjetrit bëhet po aq e jona sidomos kur njohim historinë e tij. Paul Luijf, një okulist holandez, po lexonte gazetën në shtëpinë e tij, kur u njoh me historinë e Osman Kazazit, një ish-i burgosur politik, që cilësohej nga gazeta si "Nelson Mandela" i Shqipërisë.

Paul, në atë kohë 34 vjeç, kishte hapur dyqanin e tij të syzeve.

“Të burgosurit e harruar” titullohej shkrimi ku flitej për Kazazin. Kjo histori e preku aq thellë sa i tha gruas së tij Eljan: “Dua të iki në Shqipëri, dua të dëgjoj nga ky njeri që ka vuajtur kaq shumë se çfarë ka për t’i thënë botës”.

Me skenar të Blerina Gjokës, dokumentari “Sytë e shpirtit”  hedh dritë mbi përjetimet e vuajtjet përgjatë diktaturës.

Takimi i tyre i parë ishte dhe lindja e një miqësie speciale mes tyre. Prej lindjes së kësaj miqësie, holandezi vendos që të ndihmojë sa më shumë njerëz të mundej, fillimisht duke vizituar ish-të përndjekurit politikë për shikimin, duke dhuruar syze për ta, ndërsa sot humanisti çmon përpjekjen e Kazazit e dashurinë e pafundme për vendin.

“Këta njerëz kurrë nuk do të harrohen dhe në veçanti kjo histori për Osman Kazazin. Ai ishte për 42 vite në burg e ia dedikoi gjithë jetën lirisë dhe Shqipërisë. E imagjinoni dot sa e rëndësishme është kjo?!”

Pas vdekjes së Kazazit, Luyif financoi vendosjen në një shesh të Tiranës të një busti, për të nderuar vuajtjet dhe qëndresën për të gjithë njerëzit që si Kazazi ëndërruan për lirinë dhe demokracinë.

Në foto: Paul Luijf majtas, një okulist holandez, po lexonte gazetën në shtëpinë e tij, kur u njoh me historinë e Osman Kazazit.

 

Gazetar: E. Xhemalaj

Operator: S. Goga

Montazhier: O. Pajo