Gruaja e Sylejman Selimit e mallkon Thaçin
Kimete Selimi, bashkëshortja e ish-komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimit, ka shprehur mllefin e saj të thellë lidhur me aktvendimin e Gjykatës së Apelit, i cili vërteton dënimet e Gjykatës Themelore të Mitrovicës për të dënuarit e rastit “Drenica 2”.
Ajo, në një postim shumë emocional, i ka mallkuar të gjithë ish-komandantët e UÇK dhe liderëve të institucioneve të Kosovës për shkak se, sipas saj, ata zgjodhën të pasurohen dhe jo të mbrojnë vlerat e luftës.
Kimete Selimi e mallkon edhe Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, dhe uron që edhe ai “t’u bashkohet shokëve të tij në burg”. Madje, i akuzon për “tradhti”.
“Mjerë ata fëmije që rriten me baballarët pranë, por me vulën e tradhtisë në ballë”, shkruan ndër të tjera Kimetja.
Postimi i plotë i gruas së Sylejman Selimit:
“Vendimin e pritem me aq shumë shpresë, me thyen në shpirt. Zoti ju mallkoftë juve që m'i latë fëmijët të rriten pa babe.
Mallkimi iu përcjelltë me gjenerata e gjenerata ju që zgjodhet t’i ikni varfërisë në këtë mënyrë duke sakrifikuar njerëz të mëdhenj me dëshmitë e vonuara.
Mallkimi raft edhe mbi juve President, ju vrafshin lotët e fëmijëve tanë. Qe nuk nxorët një zë ta mbroni të drejtën, jo të ndërhyni në drejtësi, por ti mbroni vlerat.
Presidenet ndoshta ke mendu që heshtja ty do të shpëtoj por jo mos mendo ashtu, se ti duke i mbrojtur kta burra kishe pas shancën ta mbrosh edhe vetveten, por gabuat!
Tash dhe juve ju uroj të ju bashkëngjitni Syles, meqë nuk ju bashkëngjitët në vijat frontale, në beteja të lara me gjak, dhe u fshehët skutave aty ku nuk kishte luftime dhe bënit plane për atë se si mbas lufte se kush qka do të gradohet. Syla, asnjëherë se mendoj këtë. Uroj që të paktën ti bashkohesh tash.
Fëmijët e mi do rriten krenar për babin e tyre.
Por mjerë ata fëmije që rriten me baballarët pranë por me vulën e tradhtisë në ballë”