‘Nga pambuku në Kongres’/ Tim Scott tërhiqet nga gara presidenciale

Senatori republikan, Tim Scott, nga Karolina e Jugut, u tërhoq nga gara presidenciale e vitit 2024. Senatori amerikan shpresonte se do bëhej i pari afrikano-amerikan që do të siguronte nominimin nga republikanët.

Gjatë një interviste, ai tha se e kishte ndjrë se votuesit po i thoshin se nuk është koha e duhur. Edhe pse ishte i mirëfinancuar, Scott nuk pati ndonjë ndikim të madh te sondazhet e opinionit publik.

Ai nuk ka mbështetur ndonjë kandidat tjetër dhe ka theksuar se nuk do të garojë për zëvendëspresident.

58-vjeçari kishte hyrë në garë me shpresën se do përcillte një mesazh pozitiv, duke theksuar se historia e tij personale është një tregues i qartë i ëndrrës amerikane.

Stërnipi i një punëtori të fushave të pambukut në Jugun e Thellë, ai ishte rritur nga një nënë e vetme. Ai shprehej vazhdimisht se ia kishte dalë të ngrihej nga ‘pambuku për në Kongres’.

Disa ditë më parë nga gara presidenciale u tërhoq edhe republikani tjetër, ish-zëvendëspresidenti Mike Pence. Ndërkohë, Donald Trump udhëheq në mënyrë të ndjeshme sondazhet në mesin e republikanëve.