Ndjekje policore në Vlorë, shoferi gjatës arratisjes hedh nga makina pistoletën dhe fishekët

Policia e Vlorës në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, zhvilloi operacionin policor kombëtar “Sundimi i ligjit” dhe kanë goditur një rast në fushën e armëmbajtjes pa leje, në qytetin e Vlorës.

Në kuadër të këtij operacioni u vu në pranga shtetasi  E. K alias E. D., 38 vjec, banues në Vlorë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve,armëve shpërthyese dhe i municionit.”

Policia,  bazuar dhe në shërbimin informativ, ka lokalizuar në lagjen “Isa Boletini, një  “Fiat” që drejtohej nga 38-vjeçari E. K dhe është vënë në ndjekje të tij.

Shoferi, sapo ka vënë re se po ndiqej, ka tentuar të largohet me shpejtësi dhe ka hedhur nga automjeti, një pistoletë me fishekë në të, që e mbante pa leje, por pas disa minutash ndjekje është kapur dhe prangosur nga Policia. Arma e zjarrit pistoletë së bashku me fishekët u gjet dhe bashkë me makinën e tij u sekuestruan.