Rama braktis takimin me kongresmenët amerikanë

Një grup kongresmenësh amerikanë qëndruan dy ditë në Tiranë dhe u takuan me zyrtarët më të lartë të shtetit, përveç se me Kryeministrin Edi Rama.

Kongresmenët u takuan dje me Presidentin Bujar Nishani, kryeparlamentari dhe presidentin e zgjedhur Ilir Meta, me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati dhe me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Sikurse njoftoi sot Ambasada Amerikane në Tiranë, në takime u diskutua për krizën politike në vend dhe të tjera çështje të rëndësishme.

Edhe në njoftimin e ambasadës së SHBA, nuk përmendet ndonjë takim me Kryeministrin Edi Rama. Syri.net u interesua përse kongresmenët amerikanë nuk u takuan me shefin e qeverisë. Burime nga Kryeministria sqaruan për Syri.net se Edi Rama nuk ndodhet në Shqipëri, por në Venecia. Kreu i qeverisë ka shkuar për ekspozitën e radhës të pikturave të tij.

Duhet të theksojmë se delegacioni i kongresmenëve amerikanë u nis me mision drejt Ballkanit për të hetuar punën e ambasadave amerikane dhe nëse ka ndikime nga filantropi i majtë George Soros. Është e vështirë të kuptohet se si Kryeministri Edi Rama anashkalon një takim me zyrtarët amerikanë të parashikuar në axhendë, për të hapur ekspozitë pikturash në Venecia.

Kongresmenët amerikanë sot janë larguar nga Shqipëria për të vijuar turin e tyre në vendet e tjera të Ballkanit.

Në delegacion janë kryetari i komitetit të Drejtësisë të Kongresit Goodlatte dhe përfaqësuesit Steve King, Matt Gaetz, Dave Trott, David Cicilline, Peter DeFazio. /SYRI.net/