Kultivonte kanabis për transplantin e djalit, burg për shqiptarin në Angli. Emri

Dy emigrantë të jashtëligjshëm në Britani, një prej tyre shqiptar, janë dënuar me burg pasi u kapën duke punuar në një fabrikë e prodhimit të kanabisit.

Aido Zyka dhe vietnamezi Nam Le u arrestuan gjatë një operacioni në Staffordshire, ku policia zbuloi një sasi kanabisi me vlerë 85 mijë paund, gati për t’u shitur, ashtu sikurse 254 bimë të rritura dhe 150 fidanë.

Gjykata në Angli vendosi ta dënojë dyshen me 12 muaj heqje lirie secili.

Nam Le, 20 vjeç dhe Zyka, 24 vjeç, janë lënë të dy në burg. Gjykata britanike u njoh me faktin se dy të rinjtë ishin punësuar për t’u kujdesur për bimët narkotike. Prokurorja Janne Barker tha se aksioni policor u ndërmor më 5 Prill.

“Vinte një erë e fortë kanabisi, dritaret ishin të izoluara dhe muret të ngrohta kur i prekje. Kur oficerët e policisë u futën në ndërtesë, dy autorët ia mbathën nga dera e pasme. Dy prej dhomave në katin e poshtëm përdoreshin për të jetuar ndërsa pjesa tjetër për të kultivuar kanabisin“, shpjegoi prokurorja.

Ajo tha gjithashtu se dy të rinjtë ishin futur ilegalisht në Britani.

Shqiptari Zyka mësohet se kishte vetëm 10 ditë që kishte nisur punën në këtë fabrikë, ndërsa në shtetin anglez kishte shkelur dy muaj më parë. 24–vjeçari kishte paguar 9 mijë paund për udhëtimin e tij dhe motivacioni ishte se i biri ishte nevojë për një transplant që kushton 28 mijë paund. Sipas mbrojtjes, i riu shqiptar kishte shkuar në Britani për të bërë para dhe për t’i sjellë në Shqipëri.