Kriza politike, Eurokomisioneri Hahn letër publike për qytetarët shqiptarë

Eurokomisioneri Johannes Hahn ka dërguar një letër të hapur për qytetarët shqiptarë në lidhje me krizën politike në vendin tonë.

Në letrën e tij, Hahn  sqaron se çfarë ndodhi me negociatat mes palëve politike, alternativat që u ofruan dhe refuzimi nga të dyja palët.

Eurokomisioneri shkruan gjithashtu se ndjen keqardhje për bojkotin e zgjedhjeve nga PD, por thotë se pavarësisht këtij fakti nuk mund të pengohet procesi demokratik i zgjedhjeve parlamentare.

Letra:

 

Të dashur qytetarë shqiptarë, të dashur miq, Po ju drejtohem me një shqetësim të madh sot. Gjatë javëve të fundit janë bërë disa përpjekje për të promovuar dialogun midis partive politike në Shqipëri, nga përfaqësues të BE, përfshirë edhe mua, dhe nga partnerë të tjerë ndërkombëtarë. I kemi dëgjuar me vëmendje shqetësimet dhe shpresat e çdo pale, teksa përpiqeshim të gjenim një zgjidhje për krizën në vazhdim.

U ofruan një numër opsionesh, me shpresën se partitë dhe liderët do të ngriheshin në nivelin e përgjegjësisë së tyre për të gjetur një zgjidhje të përbashkët. Fatkeqësisht, kjo gjë nuk ndodhi. Kështu që sot jemi në një situatë ku procesi elektoral për zgjedhjet e përgjithshme të 18 qershorit është vënë në lëvizje.

Zgjedhjet do të zhvillohen pa pjesëmarrjen e partive kryesore të opozitës. Ishte një zgjedhje e vetëdijshme e opozitës aktuale për të mos marrë pjesë në zgjedhje. Më duhet ta respektoj, por në të njëjtën kohë më vjen edhe shumë keq për këtë vendim, nga pikëpamja demokratike. Shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë zgjedhje që mundësojnë një ofertë të gjerë politike dhe që ruajnë standardet elektorale. Megjithatë, procesi demokratik duhet të vazhdojë, edhe nëse disa vendosin të mbeten prapa. Demokracia dhe standarded demokratike nuk do të mbahen pas duke bojkotuar institucionet dhe zgjedhjet demokratiker. Zgjedhjet do të vlerësohen sipas cilësisë së tyre, bazuar në standardet ndërkombëtare. Institucioni më kompetent evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve – ODIHR – kohët e fundit ka nisur aktivitetet vëzhguese të zgjedhjeve në Shqipëri.

Ne jo vetëm që e përkrahim fuqimisht ODIHR-in , por edhe presim që të gjitha institucionet e përfshira në proces t’i ofrojnë bashkëpunim dhe transparencë të plotë misionit të tij, në javët para zgjedhjeve dhe në vetë ditën e zgjedhjeve. Është në interesin e Shqipërisë dhe të autoriteteve të saj që OSBE/ODIHR dhe vëzhguesit e tjerë ndërkombëtarë të jenë në gjendje ta bëjnë sa më mirë detyrën e tyre dhe vlerësimin e zgjedhjeve. Ndaj, më lejoni të jem i qartë për një gjë: E dënoj ashpër çdo deklaratë që bën thirrje për "aksione" që do të minonin të drejtën e çdo qytetari për të votuar dhe të drejtat e tjera themelore.

Të tilla "aksione" nuk mund të justifikohen dhe nuk përputhen me standardet e Bashkimit Evropian. Përkundrazi, është një vlerë themelore evropiane që propozimet dhe idetë politike – pavarësisht nëse ju pëlqejnë apo jo – të diskutohen brenda institucioneve demokratike, kryesisht në parlamentin shqiptar. Kjo është theksuar në të gjitha takimet me liderët politikë të vendit tuaj, nga të gjitha palët. Në lidhje me këtë, më lejoni të them edhe një gjë. Fakti që zgjedhjet e pjesshme në Kavajë nuk mundën të zhvilloheshin nuk është fitore për asnjë.

Është një humbje e qartë për demokracinë. Të dashur qytetarë, Kam shumë besim se populli shqiptar do të kërkojë nga liderët e tij politikë të tregojnë vetëpërmbajtjen dhe pjekurinë demokratike që pritet në një vend që aspiron të bëhet Anëtar i BE. Le të jemi të qartë: Liderët do të mbajnë përgjegjësi nëse përpiqen të nxjerrin nga shinat aspiratat legjitime të popullit shqiptar për një të ardhme më të mirë. BE do të vazhdojë të monitorojë nga afër procesin zgjedhur. Dhe më thelbësorja: ne do të vazhdojmë t’ju përkrahim në rrugën drejt anëtarësimit në BE. /SYRI.net/