Rasti i 3-vjeçares/ AMP nis hetimet për 4 efektivë: Pranuan se e kanë neglizhuar çështjen

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimet dhe ka përcjellë në Prokurorinë e Tiranës dosjen për 4 efektivë i Komisariatit nr. 1, në lidhje me ngjarjen e rëndë në kopshtin privat “Stinët” ku 3-vjeçarja theu këmbën.

Bëhet fjalë për 3 efektivët e pezulluar nga policia Rustem Dervishi, Ylli Çako dhe Ergys Brahimaj dhe një i katërt që ditën e denoncimit ka qenë i gatshëm.

Të katërt janë nën akuzë për shpërdorim detyre dhe gjatë marrjes në pyetje kanë pranuar se e kanë neglizhuar çështjen, duke thënë se do të vijonin hetimin të nesërmen dhe në vijim.

Megjithatë, AMP ka dyshime të forta se efektivët nuk kanë verifikuar sipas ligjit dokumentacionet e kopshtit, siç rezultoi më vonë i palicencuar.

Hetuesit po vijojnë hetimet për të parë nëse efektivët e akuzuar kanë përfituar ryshfet për të lehtësuar pozitat e pronarëve të kopshtit privat. Kjo mbetet në kuadër të dyshimeve fillestare pasi për momentin nuk ka prova për ngritje akuze, raporton gazetari Bajraktaraj.