Propagandë për terrorizëm, SPAK dënon me burg Gentjan Çollakun

Gjykata e Posaçme ka dënuar me 4 vite burg Gentjan Çollakun për veprën penale të nxitjes dhe propagandës për kryerjen e veprimeve me qëllime terroriste.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Çollaku do të kryejë vetëm 2 vite e 8 muaj burg. Prokuroria e Posaçme kërkoi në pretencën e saj dënimin me 4 vite e 6 muaj. Gentjan Çollaku me origjinë nga Kavaja u arrestua nga anti-terrori pasi bënte thirrje për terrorizëm në rrjete sociale.

 Ai mbahej nën vëzhgim prej vitit 2021 nga agjentë të anti-terrorit ndërsa GJKKO pranoi kërkesën e SPAK dhe i caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”. Ai përdorte 16 profile të ndryshme në rrjetin social Facebook nga ku postonte thirrjet pro ISIS dhe kundër koalicionit global anti-terrorizëm.

 Në disa prej tyre ai shprehte pikëpamjet e tij pro shtetit islamik si dhe kërkonte ndaljen e luftës ndaj tyre pasi sipas tij ISIS ka luftëtarë, të cilët nuk flenë.