Alicia Kearns bën thirrje që t’i hiqen Kosovës masat ndëshkuese

Deputetja e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, e cila është kryetare e Komitetit për punë të jashtme në Parlamentin britanik, u ka bërë thirrje përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që t’i hiqen masat ndëshkuese që BE-ja ia ka vendosur Kosovës.

Deputetja Kearns ka reaguar ndaj deklaratave që ka dhënë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në një intervistë për medisat serbe, i cili tha se ka bërë të qartë ndërkombëtarëve se nuk do t’i zbatojë pikat që kanë të bëjnë me njohjen e Kosovës dhe pranimin e saj në OKB.

‘Sërish Kosova punon me komunitetin ndërkombëtarë, përkundër sulmit terrorist të orkestruar nga Beogradi. Sërish Vuçiqi refuzon. Hiqni tash sanksionet ndaj Kosovës, @Josep Borrell e @Ursula von Der Leyen’, ka shkruar Kearns në platformën ‘X’.