'Rreng apo qerasje', çfarë do të sjellë Apple në eventin surprizë të Hallouinit?

Apple ka njoftuar një event surprizë në vigjilje të Hallouinit, të quajtur “Scary Fast” por që duket se do të jetë një ‘surprizë’ dhe jo një ‘rreng’ për adhuruesit e markës.

Eventi teknologjik fillon në orën 00:59 (me orën tonë lokale) më 30 Tetor, një orar shumë më i vonë se sa pjesa më e madhe e organizimeve të Apple si dhe do të jetë tërësisht virtual.

Ka shumë pak detaje, por pritet që kompania të zbulojë një produkt të ri për linjën e kompjuterave, Mac.

E vetmja e dhënë është se logoja në faqen zyrtare të kompanisë transformohet në ikonën “Finder” që i përket sistemit operativ të Mac.

Kjo ka ndezur sugjerimet sipas të cilave mund të bëhet fjalë për një gjeneratë të re iPad ose për çipin e ri M3 duke qenë se kompjuterët e deritanishëm përdorin versionin M2.