Konfirmohet lajmi i SYRI-t/ Edmond Rrushi emërohet kreu i AKU. KLSH e kapi me shkelje 350 mijë dollarë

Lajmi i djeshëm i publikuar nga SYRI në lidhje me dorëheqjen e Drejtoreshës së AKU-së Jeta Deda është konfirmuar ditën e sotme, pasi në vend të saj është emëruar Edmond Rrushi.

Por, kush është Edmond Rrushi, një emër aspak i panjohur nëse kthehemi vetëm disa vite pas.

Në 2014-ën ai kallëzohet në prokurori si ish-drejtori i QSUT, bashkë me 4 titullarë të tjerë punonjës të tjerë të këtij institucioni.

Kontrolli i Lartë i Shtetit deklaronte se 5 zyrtarët në QSUT kanë keqmenaxhuar fonde në vlerën 560 mijë dollarë duke shkaktuar dëm ekonomik në masën 350 mijë dollarë.

Auditi i kryer ka konstatuar disa shkelje mes të cilave 54 procedura prokurimi pa tender.

KLSH nënvizonte po ashtu se gjatë zbatimit të procedurës së prokurimit për “Mirëmbajtjen dhe riparimin e 1 rezonance manjetike dhe 3 Skanerave” janë kryer veprime të kundërligjshme, si pasojë e të cilave është prishur qëllimisht kontrata ekzistuese për mirëmbajtjen dhe riparimin e skanerit që QSUT kishte me një subjekt privat dhe është lidhur jashtë procedurave ligjore kontrata me një subjekt tjetër privat.

Gjithashtu brenda PS-së ka nisur një luftë e ashpër për kapjen e institucioneve shtetërore, në këtë rast për AKU-në.