Goditi mësuesen me karrige në Lezhë, arrest shtëpie për 16-vjeçarin

Gjykata e Lezhës ka caktuar masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi’, për 16-vjeçarin që goditi me karrige mësuesen në gjimnazin ‘Hydajet Lezha’. I mituri u njoh këtë të Premte me masën e sigurisë, në një seancë me dyer të mbyllura.

Bëhet e ditur se ndaj tij janë ngritur dy akuza, goditje për shkak të detyrës dhe plagosje e rëndë me dashje.

Kujtojmë se mësuesja M. P., dy ditë më parë është goditur me një karrige nga një nxënës brenda mjediseve të shkollës. Ajo është dërguar me ambulancë në spitalin e Lezhës dhe mësohet se ka dëmtuar krahun nga goditja.

Gjithashtu pati edhe një bojkot nga mësuesit për shkak të kësaj ngjarje të rëndë.