Fishta, Çadrës i thoshte Qadra, zoti Kryeministër

Me gjithë respektin e madh që kam sa herë njerëzit e politikës përmendin dhe nderojnë njerëzit e kulturës, jam e detyruar t'i kujtoj kryeministrit tim me këtë postim, se atij i ka shtegtuar e drejta e këtij nderimi.

Fishta, po të ishte gjallë, Çadra do ta shqiptonte Qadra, fjalë me të cilën lëçitësi ynë në fjalë fyu para pak ditësh një qytetar të thjeshtë - që iu ankua për ca punëra që politikani duhet t'i bëjë më mirë - për t'i kujtuar atij se ishte alpin a gegë, varet çfarë i shkakton për shumë shpërvjelje atij.

Qadra, është fjalë që përdor gati dy e treta e shqiptarëve, duke përfshirë edhe Kosovën. Kështu që një kryeministër që përfaqëson të drejtuarit e shtetit në emër të çdo qytetari të thjeshtë, edhe për ata që nuk e kanë votuar, duhet të kafshojë gjuhën kur flet.

Sepse nënkuptimi i fjalës Qadër që ka përdorur pa kurrfarë kujdesi, është një racizëm i pastër dhe i papranueshëm. Unë po të isha politikane në Kosovë, vetëm prej kësaj fjale dhe me shpotitë e shpeshta që u bën alpineve, do ta kisha shpallur Persona Non Grata kryeministrin e Shqipërisë.

Kryeministri ka të drejtë te bëjë politikë sa të dojë, t'i bëjë Pozitë Opozitës me të gjitha armët politike që ia lejon ligji, por jo duke përdorur Fishtën, gjuhën e të cilit e fyu tërthorazi para ca ditësh, sepse është një përdorim i pandershëm dhe hipokrit...