VIDEO-SYRI TV/ Procesi politik ndaj kreut të PD, Sali Berisha, skandali me avokatët 'kryesisht'

Skandalet në procesin politik ndaj liderit të opozitës Sali Berisha nuk kanë të sosur. Pas një serie seancash sa skandaloze aq edhe qesharake, gjykata ka konfirmuar masën e sigurisë 'detyrim paraqitje' dhe ndalim për daljen jashtë Shqipërisë për kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha. Pas tërheqjes së dy avokateve të caktuara një ditë më parë, Gjykata caktoi si avokate kryesisht të Sali Berishës, Valentina Todoreskun, e cila rezulton ithtare e Edi Ramës dhe e regjimit komunist të Enver Hoxhës.

Nga SYRI TV

Procesi politik ndaj liderit të opozitës Sali Berisha ka vijuar edhe sot I shoqëruar me skandale të njëpasnjëshme nga ana e GJKKO dhe SPAK-ut. Pas një serie seancash sa skandaloze aq edhe qesharake, gjykata ka konfirmuar masën e sigurisë 'detyrim paraqitje' dhe ndalim për daljen jashtë Shqipërisë për kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Në orën 10:00 të paradites, në seancë u paraqitën avokatet e caktuara kryesisht Rabije Cenalia dhe Jalldiz Kastrati. Pasi u vendos për një pushim që avokatet të njiheshin me aktet, avokatja Kastrati deklaroi se kishte marrë përsipër mbrojtjen.

Por pas nisjes se seancës në orën 15:00, GJKKO shpërndau një njoftim sipas të cilit dy avokatët e caktuara ‘kryesisht’ nuk morën përsipër realizimin e mbrojtjes dhe se gjykata kishte caktuar si avokate kryesisht, Valentina Todoreskun.

Teksa dy të parat i thanë gjykatës se heqin dorë nga mbrojtja, në rrethana që nuk njihen ende, futja e Todoreskut në sallë ngre dyshime se gjykata kishte marrë masa që procesi të vijonte.

Në dalje të gjykatës, dy avokatet e dorëhequra Rabije Cenalia e Jalldiz Kastrati nuk pranuan të komentojnë mbi dorëheqjen e tyre, por as arsyen pse qëndruan të izoluara në sallë pavarësisht se kishin hequr dorë, e për më tepër ishte dikush tjetër që po bënte mbrojtjen.

Më herët gjatë ditës, avokatja Cenalia kishte kërkuar dy ditë kohë për t’u njohur me çështjen. Sipas burimeve, prokurorët e SPAK e kanë kërcënuar atë se do të njoftojnë Dhomën e Avokatisë për refuzimin e saj ndërkohë që avokatja tha se nuk kishte refuzuar, por vetëm kishte kërkuar më shumë kohë për të studiuar dosjen.

Por skandalet nuk kanë të sosur edhe me avokaten e re të caktuar nga Gjykata, Valentina Todoreskun. Ashtu siç avokati i caktuar për mbrojtjen e Sali Berishës, Artan Simoni i cili sulmonte hapur në rrjetet sociale liderin e opozitës, edhe Valentina Todoresku rezulton një ithtare e Rilindjes dhe Kryeministrit Edi Rama.

Pas një verifikimi të shpejtë në faqen e saj në Facebook, shihet se avokatja që gjykata i caktoi Sali Berishës bënte share postimet e Kryeministrit Edi Rama e për me tepër ithtare e regjimit komunist dhe diktatorit Enver Hoxha.

Po sot GJKKO rrëzoi kërkesën e paraqitur nga Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha përmes avokatëve të tij, për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga gjykimi i çështjes. Gjyqtarja Irena Gjoka akuzohet për ‘shpërdorim detyre’ dhe shkelje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, por gjykata nuk e mori parasysh kërkesën dhe vendosi rrëzimin e saj përmes një vendimi të gjyqtares Flora Hajredinaj.