Nuk e kanë me Kaç Myftarajn!

Arrestimi i gazetarit dhe publicistit kontravers Kastriot Myftaraj, nuk është një akt që nuk pritej nga policia e Edi Ramës. Kushdo që ka ndjekur publicistikën dhe deklarimet publike të forta të tij, e di shumë mirë që ato kërcasin fortë dhe dalin shpesh nga i ashtuquajturi normalitet, i të bërit gazetari.

Në fakt Rama dhe strukturat ligjzbatuese në shërbim personal të tij, nuk e kanë me Kastriotin. Ky gazetar ka një mal me shkrime të forta konspirative, për gati të gjitha figurat publike të Shqipërisë dhe diplomatë të ndryshëm. Në stilin e tij, ai pretendon të dekodojë “misteret” dhe “arsyet” e shumë ngjarjeve që ndodhin çuditshëm në vendin tonë, por edhe në rang global. Ky është Myftaraj, prandaj edhe e kanë kërcënuar me jetë dhe hedhur  në gjyq me dhjetëra herë. Por siç e thënë më lart, nuk e kanë me Myftarajn.

Ai ishte “peri i hollë”, që u këput pas tensionit të paprecedent të ushtruar nga kryeministri Rama, ndaj medieve dhe gazetarëve që mendojnë ndryshe. Ai është shembulli i parë, për çfarë ka kohë që paralajmërohet; shkarjes së Ramës drejt një erdoganizimi dhe putinizimi. Thelbi i këtyre filozofive qeverisëse autokratike është pikërisht frikësimi deri në prangosje, i çdo zëri mediatik jashtë kontrollit.

Në asnjë vend demokratik, nuk arrestohen gazetarët për shkrimet e tyre. Ata paditen, hidhen në gjyq, ku edhe mbrohet me prova nga palët varianti për të cilin akuzohet.

Që të jemi të qartë, ne jemi kundër çdo thirrje për dhunë, apo akte kriminale kundër çdo individi. Siç edhe jemi pro ndaj çdo denoncimi, për plane antikushtetuese nga kushdo që thuren ato. Cilido që i dekonspiron apo konspiron ato, përgjigjet përpara organeve ligjzbatuese dhe gjykatave.

Shkrimi për të cilin akuzohet Kastriot Myftaraj është një përsiatje për ambasadoren e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin. Ideja e tij është se kjo diplomate, po “prostituon” me qarqe evropiane dhe të sllavëve të Jugut, që Shqipëria të gllabërohet nga serbët në kuadër të një projekti të quajtur, “Ish-Jugosllavia+Shqipëria”. Në fakt ky projekt i hedhur si një nismë ekonomike fillimisht, tashmë është zyrtarizuar. Deri këtu nuk ka ndonjë zbulim. Qëllimet përfundimtare dhe roli i një diplomateje të rëndësishme për realizimin e tij, janë thelbi i shkrimit. A është e vërtetë e gjitha kjo? Myftaraj pretendon, se po. Ai për këtë ka pikëpamjet dhe analizën e tij; ndoshta edhe fakte. Nëse e akuzuara mendon të kundërtën, mund ta hedhë në gjyq për shpifje.

Në kuadër të kësaj, gazetari ngre alarmin, se sovraniteti i Shqipërisë është në rrezik. Vlahutinin që sipas tij jo rastësisht bën sikur nuk e sheh realitetin e drogës së Edi Ramës, ai e quan një protagoniste të këtij plani. Sipas tij çdo përfshirje që cenon sovranitetin dhe integritetin e vendit, përbën një akt terrorist. Në këtë pikë ai i referohet, Kushtetutës së vendit. Nëpërmjet një abstraksioni logjik, shkak-pasojë, Muftaraj arrin në përfundimin, se Vlahutin duhet trajtuar si terroriste nga shqiptarët.

Kjo është shumë e madhe dhe as ne, nuk e besojmë që përfaqësuesja e BE-së të ketë arritur deri këtu. Por kjo nuk i jep të drejtë Ramës, që të urdhërojë strukturat e antiterrorit në polici, që ti hedhin prangat me vrap Myftarajt që vetën fjalën ka si armë. Ai ka vënë në dispozicion zonjës në fjalë një “ushtri” me gardistë, që ta mbrojnë nga një rrezik që nuk po merret vesh se nga i vjen. Nëse problemi qenka Myftaraj, që mezi hipën në karriget e studiove televizive, atëherë po; situata qenka vërtet serioze për jetën e ambasadores së BE-së.    

Në shkrimin që e çoi në burg, ai përdor edhe metaforën “kurvë”, për zonjën Vlahutin. Faktikisht kjo fjalë, është përdorur në konteksin e keqpërdorjes politike të saj. Por edhe nëse është e një etiketim i drejtpërdrejt, bëhet fjalë vetëm për një shpifje, ose jo. Këtë e ka të detyruar që ta vërtetojë, vetë autori i shkrimit. Por që të ndodhë kjo, zonja në fjalë duhet që ta padisë në gjykatë. Policët e Ramës, nuk ja fshijnë dot “njollën” që i vuri Myftaraj.

Të dyja “krimet” që ka bërë gazetari ndaj diplomates, nuk janë ndonjë gjë e re për median e përçudnuar shqiptare. Risi është vetëm akti i Ramës, pas një fushate të paprecedente shpifjesh dhe shantazhesh ndaj medias që nuk kontrollon, me veprime konkrete; prangosje.

Në mediat pranë tij, çdo ditë bëhen thirrje për hakmarrje dhe gjakmarrje ndaj kundërshtarëve politikë. Policia e tij jo vetëm që nuk i arreston, por edhe i ul e ngre drejtuesit e tyre, si “shefa”.

Prandaj duke ritheksuar se nuk jemi dakord fare me thirrje që kanë brenda fjalën vrasje, themi njëkohësisht, se nuk e kanë me Kastriotin.

Ai ishte “peri i hollë”, një mesazh i qartë, për atë që tashmë Edi Rama ka nisur...

SYRI.net