Taksë për produktet e reja nga 1 janari 2025, projektligji: Paguhet nga prodhuesit për mbetjet

Të gjithë prodhuesit që zhvillojnë, prodhojnë, përpunojnë, trajtojnë apo shesin ose importojnë mbi baza profesionale, produkte që gjenerojnë mbetje pas përdorimit, do të mbajnë atë që quhet përgjegjësi e zgjeruar për prodhuesit. Kjo do të thotë që ata do të jenë përgjegjës për mbulimin e kostos së trajtimit të mbetjeve që gjenerohen nga ky aktivitet. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në një projektligj të hedhur për konsultim “Për zbatimin e Përgjegjësive të Zgjeruara të Prodhuesit” që sipas relacionit ka si qëllim ngritjen dhe funksionimin e skemës për Përgjegjësitë e Zgjeruara të Prodhuesit (PZP), në mënyrë që çdo person fizik ose juridic të paguajë detyrimin që i takon në këtë aspekt.

“PZP është një detyrim për prodhuesit, për kompanitë të cilat vendosin në tregun e brendshëm të vendit produkte, të cilat pasi përdoren, gjenerojnë mbetje që i përkasin njërës prej rrymave të mbetjeve të përcaktuara në projektligj, në përputhje me parashikimet e Ligjit nr. 10463, datë 22.9.2011 ”Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar. Këto kompani, sipas legjislacionit të BE-së për mbetjet kanë detyrime dhe përgjegjësi shtesë për të menaxhuar mbetjet që gjenerohen nga produktet e tyre. Detyrimet e tyre rregullohen në një legjislacion të posaçëm në nivelin e BE-së. Disa detyrime kryesore të prodhuesit janë të financojnë dhe të krijojnë një sistem për grumbullimin, transportimin, riciklimin ose një mënyrë tjetër të trajtimit të mbetjeve të krijuara nga produktet e tyre që ata vendosin në treg në Shqipëri dhe të përmbushin disa synime të rëndësishme për mbledhjen, riciklimin dhe trajtimin e tyre, siç përcaktohet nga legjislacioni i BE-së ose kombëtar” thuhet në relacion.

Taksa e produktit

Më saktë taksën e  produktit projektligji e sanksionon në nenin 16 duke specifikuar se cilët janë detyrimet e subjektit.

“1. Prodhuesi subjekt i PZP që vendos në treg produkte për herë të parë, paguan taksën e produktit, e cila përllogaritet në varësi të produkteve PZP që hedh në tregun vendas.

Taksa e produktit bëhet e detyrueshme duke filluar nga data 1 Janar 2025.
Prodhuesi që përmbush detyrimet PZP përmes pagesës së taksës së produktit, kryen pagesën e parë brenda datës 15 shkurt, për produktet e vendosura në treg gjatë vitit të mëparshëm.
Metodologjia për përcaktimin e taksës së produktit përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim nga ministri përgjegjës për mjedisin dhe ministri përgjegjës për financat.
Të ardhurat që krijohen nga pagesa e taksës së produktit konsiderohen të ardhura dytësorë që 70% kalojnë në buxhetin e shtetit dhe 30% kalojnë në fondin special të ekonomisë qarkulluese, për t’u përdorur për përmbushjen e kërkesave të këtij ligji.
Ngritja, funksionimi dhe monitorimi i Fondit special i Ekonomisë Qarkulluese miratohet me Vendim të Këshillit të Ministrave me propozim të Ministrit përgjegjës për mjedisin dhe Ministrit përgjegjës për financat” thuhet në dokument./MONITOR