Himarë, sekuestrohet tokë në bregdet me vlerë 2.7 mln euro

Prokuroria e Vlorës ka vendosur sekuestro ndaj një sipërfaqe toke prej 13,750 metra katrorë në fshatin Gjilekë të bashkisë së Himarës me një vlerë prej 2,7 milionë eurosh.

Vendimi për sekuestro erdhi pasi prokuroria ka dyshime të bazuara se toka është përvetësuar nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve dhe konkretisht formularit 6 të aktit të marrjes së tokës në pronësi në AMTP.

Për këtë shkak, prokuroria ka marrë të pandehur ish-topografin e bashkisë së Himarës, Elton Marko dhe motrën e tij, të cilët nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve kanë përvetësuar sipërfaqen e tokës.

Një pjesë e kësaj toke u është shitur personave të tretë, si një tentativë për të humbur gjurmët e falsifikimit të procedurës së marrjes së tokës në pronësi.