Partizani merr në fund tri pikët, Erzeni reziston 89 minuta

Partizani merr një fitore të rëndësishme ndaj Erzenit, në një takim që rezultoi shumë i luftuar.

“Të kuqtë” e kryeqytetit triumfuan me rezultatin 1-2, duke ruajtur trendin e fitoreve, ndërsa shijakasit nga ana tjetër nuk ia dalin që të vazhdojnë me ecurinë pozitive.

Kampionët zhbllokuan sfidën në minutën e 27-të me Tedi Carën.

Shijakasit nga ana e tyre tentuan që të gjenin barazimin, megjithatë në minutat shtesë të fraksionit hapës morën një tjetër goditje, pasi në minutën e 45+4’ Kahrimanovic u ndëshkua me karton të kuq dhe la ekipin e tij me dhjetë lojtarë.

Megjithatë në pjesën e dytë Erzeni u tregua edhe më kërkues dhe në minutën e 64-t Meçja shënoi golin e barazimit.

Partizani nga ana tjetër nuk u dorëzua dhe në minutën e 89-të gjeti golin e triumfit me Mensah.

Pas javës së nëntë të Kategorisë Superiore, Erzeni renditet në vend të shtatë me 11-të pikë, teksa Partizani renditet në vend të dytë me 17 pikë, dy më pak se Egnatia kryesuese, por duhet theksuar se kryeqytetasit kanë një ndeshje më pak.