Vazhdon të shtyhet gjyqi i Dritan Dajtit. Ja arsyet

Procesi gjyqësor ndaj Dritan Dajtit vazhdon të zvarritet pranë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda.

Shkak për shtyrjen këtë radhë, u bë kërkesa e avokatit dhe të pandehurit për tu njohur me vendimin e Gjykatës së Lartë dhe provat e ndryshme të akuzës.

Kjo kërkesë u pranua nga gjyqtarët që vendosen të shtyjnë seancën për dy javë.

Ndërkohë kanë kaluar disa muaj, qe kur Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka caktuar gjyqtarët që do të gjykojnë Dritan Dajtin për akuzën e vrasjes së 4  oficerëve të policisë, por ende nuk ka nisur asnjë seancë gjyqësore.

Shkak për shtyrjen është bërë disa herë mungesa e gjyqtarëve të Shkodrës, të cilët janë komanduar për gjykimin e kësaj çështje.

Dritan Dajti është dënuar nga gjykata e shkallës së parë me burgim të përjetshëm për vrasjen e 4 oficerëve të policisë, në momentin që po tentonin ta arrestonin.