Brenda subkoshiencës së Edi Ramës, në kërkim të vatrës nga buron mllefi dhe urrejtja për PD

Nuk është hera e parë që Edi Rama, herë nën zë dhe herë hapur, artikulon një nga ëndrrat e tij më të mëdha, likuidimin përfundimtar të Partisë Demokratike. Edhe sot gjatë kongresit parazgjedhor të Rilindjes, ai foli gjatë, plot mllef kundër forcës së parë politike demokrate, protagoniste e instalimit të pluralizmit; që futi Shqipërinë në NATO dhe hoqi vizat për shqiptarët. Duke ju mbajtur fryma nga urrejtja e përbrendshme, nëpërmjet një retorike me fjalor armiqësor të paprecedentë për kundërshtarin politik, Rama nuk e përmban dot më dëshirën dhe “parashikimin”, për likuidimin përfundimtar të PD-së, forcës që përfaqëson gati 700 mijë vota.

Kjo e gjitha do të marrë fund në 18 qershor. Kjo e gjitha do t’i përkasë të kaluarës më 18 qershor. Bashkë me këtë kapitull do të mbyllet edhe kapitulli i Partisë Demokratike, siç e keni njohur deri tani”, deklaroi edhe dy ditë më parë nga Berati, Edi Rama.

Por si shpjegohet i gjithë ky mllef, kjo urrejtje gati patologjike; jo thjesht ndaj Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe lidershipit të kësaj force politike; mëkateve të tyre të mëdha kur kanë qeverisur vendin, por ndaj vetë PD-së si institucion, si pasuri kombëtare, që nga themelimi i saj?!

Çfarë e shtyn Edi Ramën, që të tregohet i paduruar ta shohë forcën politike që doli nga ëndrra e studentëve të Dhjetorit, të përfundojë e likuiduar, “ e vetëvrarë”, siç edhe deklaroi në kongres?!

Duket qartë, se e gjitha kjo nuk ka të bëjë aspak me betejën politike 27 vjeçare mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike, si dy kundërshtarë normal në pluralizëm, as mes së majtës dhe të djathtës shqiptare.

Për të shpjeguar të gjithën këtë, duhet të kthehemi shumë prapa në kohë, të futemi në subkoshiencën e trazuar të tij si individ dhe të gjejmë vatrën nga prodhohet i gjithë ky helm, i pakuptimtë në pamje të parë.

Gjithçka nis atëherë, kur në Shqipëri u ngjiz Partia Demokratike dhe pluralizmi njëkohësisht. Kur Edi Rama rastësisht ose jo, u përzje në zhvillimet e kohës dhe tentoi që të bëhet që atëherë protagonist i Shqipërisë së re politike.

Mungesa fatale

Edi Rama kurrë nuk do t`ja falë vetes mungesën e tij fizike më 8 Dhjetor të vitit 1990, ditë që formëzoi klasën e re politike shqiptare. Pavarësisht se si pedagog në Institutin e Arteve ishte shquar në disa aktivitete “disidente” me muzikë të Xhon Lenon, ai u fsheh duke shmangur atë ditë historike. Mungoi në Institutin e Lartë të Arteve, por veçanërisht edhe në orët e vona të natës në Qytetin Studenti, ku lëvizja studentore ishte në kulm të saj dhe nga nisi rrugën e pandalshme, deri në rrëzimin përfundimtar të  sistemit komunist.

Është vetë Edi Rama që në kujtimet e tij për atë ditë, rrëfen këtë mungesë në atë moment historik. Mungesë, që do të kishte një ndikim të rëndësishëm në karrierën e tij politike, deri sa të katapultohej 8 vite më vonë nga Franca ku kishte kryer arratisjen e dytë, por që me sa duket do të shënjonte edhe një deformim të jashtëzakonshëm në formimin, ndërgjegjen dhe karakterin e tij. Një urrejtje dhe mllef, që sot po shpërthen hapur.

Ja si e përshkruan ai vetë këtë moment në një intervistë për librin “Pardesytë e bardha”, të gazetares Luljeta Progni;

“Unë nuk u gjenda aty, sepse pas revolucionit rumun pati një farë lëshimi dhe në këtë kuadër filloi të aplikohej dhënia e pasaportave për njerëz që kishin të afërm jashtë vendit. Ne kishim të afërm në Korfuz nga familja e nënës time, shqiptarë të ikur gjatë luftës italo – greke. Morëm pasaportat dhe shkuam bashkë me tim vëlla në periudhën e verës së vitit 1990. Gjatë qëndrimit atje u vumë në kontakt me Galerinë e Teatrit Bashkiak të qytetit. Në këto kontakte ramë dakord të organizonim një ekspozitë në mesin e dhjetorit të atij viti dhe në tetë dhjetor, unë jam nisur për në Korfuz. I thashë Ardianit (Klosit), që unë nuk mund të rri në Tiranë pasi më duhet të shkoj për ekspozitën. Nuk e pata instinktin, që do të ndodhte diçka pikërisht ato dy tre ditë. Kanë qenë dy tre ditë shumë të rënda për mua, shumë të vështira dhe shumë absurde, sepse bashkë me të tjerë kisha më shumë se një vit që e prisja takimin me Ramiz Alinë. Kisha bindjen, se gjithmonë kur fillojnë binden përfaqësuesit e partisë atje, do të fillonte të kthehej në një lloj loje si macja me miun. Ndodhte diçka në Institut atëherë, ata vinin, bënin mbledhje flisnin e flisnin, ne e kthenim ne ilaritet dhe sa më shumë  shkonte koha, aq më shume rritej shkalla e atyre që vinin në institut. Unë isha i bindur dhe këtë e shprehja gjithnjë, që kjo lojë dhe ky proces mbaron kur ne të jemi përballë Ramiz Alisë. Isha i bindur dhe iu thoja shokëve të mi, se në një ditë shumë më të afërt se sa ju duket, ne do të ulemi përballë Ramiz Alisë, sepse ata nuk e durojnë dot atë që po bëjmë ne. Dhe pikërisht kur erdhi momenti ynë unë nuk u gjenda aty”.

Në tentativë, për të kapur PD-në

Nga ato që thotë vetë, duket qartë që Rama e ka përjetuar shumë gafën e jetës së tij, duke ja mbathur për në Greqi “për një ekspozitë”, ndërkohë që studentët dhe intelektualët e Tiranës, po rrezikonin edhe jetën në përballjen me regjimin e plagosur rëndë, por që njëkohësisht ishte egërsuar për mbijetesë dhe rrezikonte seriozisht, që të bënte edhe gjakderdhje.

Vendimi i tij prej frikacaku për tu arratisur pikërisht në këtë moment historik, shumë shpejt do të shndërrohej nga zili e xhelozi, në mllef dhe urrejtje për ata që qëndruan, rrezikuan deri edhe jetën dhe u përballën me regjimin në ikje.

Por pavarësisht kësaj, bërthama e studentëve dhe intelektualëve idealist të lëvizjes së Dhjetorit, e fali. Nuk ja “vunë re” mungesën në 8 Dhjetor dhe për aq sa kishte kontribuar si “disident” në Institutin e Arteve e zgjodhën më 12 Dhjetor të vitit 1990, në Komisionin Nismëtar të Partisë Demokratike. Ishte ky grup që do ta çonte PD-në, në fitoren e zgjedhjeve të para pluraliste më 31 Mars të vitit 1991.

Në protokollin e mbajtur në këtë mbledhje të Komisionit Nismëtar të PD (shkruar me dorë nga Ilenja Mëhilli) që vjen me korrektësi te “Pardesytë e bardha” është edhe emri, i Edi Ramës. Ai u zgjodh në grupin e punës për çështjet elektorale si dhe në grupin e punës për statutin dhe programin e partisë.

Por pas një debati të ashpër me Gramoz Pashkon që në mbledhjen e parë, Rama nuk e pranoi detyrën që ju ngarkua dhe u largua. As miku i tij Arben Imami pas një tentative, nuk arriti dot ta kthejë pas. Ai nuk kishte besim se do të arrinin fitore në zgjedhjet e para pluraliste. Gjithashtu dëshmitarë të kësaj ngjarje kanë treguar më vonë, se ai kërkonte më shumë. Ambicia e tij e vërtetë, që buronte edhe nga një vetëvlerësim arrogant, ishte që të zgjidhej ai kryetar i PD-së.

Por ja si e shpjegon vetë Rama në të njëjtën intervistë, këtë moment;

"Nuk pata ndonjë dëshirë për t’u përfshirë në politikë, pasi mua më interesonte liria dhe jo politika. Unë e kërkoja lirinë si nevojë të brendshme për të bërë gjërat që doja, dhe nuk e kërkoja për t’u marrë me politikë". 

Koha do të vërtetonte të kundërtën, shumë shpejt. Ai gënjen kur thotë, se “nuk kërkoja për tu marrë me politikë”. Pas kësaj tentative të dështuar duke mos kapur dot postin e kryetarit të PD-së, ai nisi punën për të krijuar një parti të re, krejtësisht të tijën.

Sot kur i hap dyert e pritës së përroit të subkoshiencës, të mbushur plot mllef dhe urrejtje ndaj PD-së, ai nuk e përmend këtë histori. Rama brenda një fjalie në kongresin e Durrësit, e shpalli Partinë Demokratike dhe historinë e saj 27 vjeçare, si e keqja më e madhe që i ka ndodhur Shqipërisë. Në fakt ajo i bëri “keq” me flakjen që i bëri Ramës atëherë vetëm Partisë Socialiste, siç edhe do të vërtetohet më pas.

Provokimi i madh

Pavarësisht se u largua nga PD-ja, ose më saktë e përzunë, Edi Rama nuk hoqi dorë asnjëherë në ato kohë, që të uzurponte partinë e sapokrijuar. Ose të paktën ta përçante...

Ai rikthehet në një takim të PD-së me intelektual të Tiranës në fund të Janarit të vitit 1991, ku tenton të krijojë përçarje dhe futjen e një fryme radikale, që rrezikonte të sillte një konflikt civil në Shqipërinë e ndarë qartazi në atë kohë.

Ja si e përshkruan Arben Imami këtë moment kur Rama kërkonte luftë…

“Rama e njihte qëndrimin tim për ato rrethana të janar-shkurtit, por nevoja për ndryshimin e tyre duhej peshuar me kushtet e atyre rrethanave. Edhe nëse ishim për një vijë presioni, kurrsesi për konflikt social, kurrsesi për konfliktin. Kemi bërë gjithçka për ta shmangur atë. Kjo është padyshim një ndër meritat e mëdha të themeluesve e të drejtuesve të PD-së, të cilët u përpoqën në çdo rast për të shmangur konfliktin, i cili i kanosej Shqipërisë në çdo çast. Duhet analizuar situata në kontekstin e kohës. Ne kishim presion të madh nga mbështetësit tanë, sikurse edhe pala tjetër kishte presionin e madh të enveristëve…”

Ky ka qenë edhe kontakti i fundit i Edi Ramës, me PD-në zyrtare brenda rradhëve të saj. Ai iku duke mallkuar dhe u përbetuar, për hakmarrje.

Pasi dështoi të krijonte Partinë Radikale, ai nuk rreshti së sulmuari Partinë Demokratike, e cila sapo kishte marrë pushtetin. Libri i tij me bashkautor Ardian Klosin është i mbushur plot mllef ndaj PD-së, pavarësisht se ajo ende nuk kishte filluar të gabonte dhe mbushte faqet e saj ende të pashkruara, me mëkate. Edhe më e egër ishte publicistika e tij, në ato pak gazeta që dilnin në atë kohë.

“O një parti të madhe, ose hiç”

Pasi dështoi në politikë, i përzënë edhe nga PD-ja edhe nga PS-ja, ai kreu “arratisjen e dytë”, duke hedhur gurë prapa. Iku në Francë nëpërmjet një burse të fondacionit “Soros”, por pa reshtur së sulmuar Partinë Demokratike nëpërmjet shkrimeve të shumta, edhe që andej. Në vitet 1992-1997, Edi Rama ishte i pozicionuar, si armiku kryesor publik i Partisë Demokratike.

Por ata që e njohin mirë Edi Ramën e dinë mirë, se që nga tentativa e dështuar për të marrë Partinë Demokratike në momentet e krijimit të saj, ai nuk ju nda projektit të tij, i yshtur dhe i ndihmuar nga Soros, për të qenë kryetar absolute i një partie të madhe.

 Duke qenë se tek PD-ja nuk kishte më asnjë shans, ai ju qep Partisë Socialiste, për të cilën kur synonte të spikaste te PD-ja e sapokrijuar, kishte deklaruar se duhej nxjerrë jashtë ligjit. Grepi, do të ishte Fatos Nano…

Por si e përshkruan vetë Edi Rama planin dhe mënyrën se si do të fuste këmbët për ta uzurpuar më pas Partinë Socialiste dhe shndërruar në një sekt siç e shohim sot:

“Nisa ta simpatizoj kur kam filluar të lexoj letrat që shkruante nga burgu.  Ishte shumë e papritur për mua qasja e tij në ato letra. Pastaj vetvetiu unë fillova të afrohem në qëndrime me socialistët sepse ishin forca që luftonin me një të keqe shumë të madhe dhe për këtë  arsye kam shkruar për vetë zhvillimet në PS, duke mbështetur Fatos Nanon kur ishte në burg. Atëherë unë nuk e njihja. Kur Fatos Nano u bë kryeministër, të them të drejtën unë kisha shumë shumë shpresë. Më dukej si një njeri që do të bënte gjëra të mëdha… Nuk bëri gjëra të mëdha…. Sigurisht bëri gjëra të mira por nuk bëri gjëra të mëdha”.

Dita e tij e madhe do të vinte në Qershor të vitit 1997, kur në pushtet erdhën socialistët. Fatos Nano tashmë kryeministër, ja shpërbleu. E morri nga Franca “me thonj të paprerë”, për ta bërë ministër Kulture.

Se çfarë ndodhi më pas, lojërat, pabesitë dhe keqpërdorjet me Nanon, Ilir Metën dhe të tjerë, dihen.

Sot është duke hedhur një hap të madh final drejt pushtetit absolut, edhe për të paktën 10-15 vite të tjera, siç deklaron tashmë hapur edhe vetë.

Por papritur rrugën ja ka zënë një pengesë e madhe; është sërish PD-ja që mallkoi kur iku nga salla në Janar të vitit 1991.

Vatra që ka 27 vite në subkoshiencën e tij, tani ka shpërthyer dhe po zien, duke e nxjerrë edhe jashtë kontrollit.

Nuk e ka me Lulzim Bashën, as Berishën dhe aq më pak me Vettingun...urren PD-në, që se kapi dot 27 vite më parë! /SYRI.net/