Kurti paralajmëron rrezikun në rritje për inskenime të sulmeve të dhunshme nga Serbia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se së fundmi institucionet e sigurisë kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimit të sulmeve të dhunshme të grupeve të strukturave të Serbisë në Kosovë, për siç thotë kryeministri, fajësimin e Policisë dhe paraqitjen e saj si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës.

Në mbledhjen e Qeverisë të enjten, Kurti ka thënë se Serbia asnjëherë më parë nuk i ka ngjarë më shumë regjimit të Millosheviqit në metoda e veprime.

“Institucionet e sigurisë së fundmi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimit të sulmeve të dhunshme nga grupet e strukturave të Serbisë në Kosovë. Qëllimi i tyre kryesor është fajësimi i Policisë së Kosovës dhe paraqitja e saj si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës. Për ta arritur këtë nuk kanë vënë çmim në tavan. Nuk do të zgjedhin mjet. Mbështetja e grupit terrorist që ka marrë nga Serbia në njërën anë duke i trajtuar si heronj, në anën tjetër duke intensifikuar aktivitetet e ushtrisë pranë kufirit me Kosovën vetëm sa i inkurajuar ata. Deshën ta ndryshojnë realitetin në terren përmes organizimeve paramilitare, nuk ia arritën. Provuan ta keqpërdorën Manastirin e Banjskës, nuk ia arritën. Tani formacionet kriminale të sponsorizuara nga fqinji ynë verior në skenarin e tyre destabilizues, ka shumë të ngjarë që dallimet etnike t’i keqpërdorin për synime politike. Javën që lamë pas u shënua 23-vjetori i rrëzimit të Millosheviqit, 23 vjet pas asnjëherë më parë nuk i ka ngjarë më së shumti Serbisë së Millosheviqit ky pushtet në Serbi, në botëkuptime, në metoda, në sjellje e në veprime”, ka thënë Kurti.

Lirimi i Milan Radoiçiqit në më pak se 24 orë, sipas Kurtit, është dëshmi dhe sinjal i potencialit për rigrupim dhe hakmarrje, “sepse më 24 shtator Beogradi zyrtar e militar dështoi”.

Ai i ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që ditëve të fundit të jenë të vëmendshëm e të vetëpërmbajtur nga “aktet e dhunës dashakeqe”.

“Andaj ju bëjë thirrje serbëve që ditëve të fundit të jeni të vëmendshëm dhe të vetëpërmbajtur nga cytjet dhe aktet e dhunës dashakeqe. Në Kosovë, jemi të gjithë të barabartë sepse shteti është ligjor dhe demokratik. Nuk ka komunitete të padëshiruara. Të raportoni sjelljen e dyshimta në komunitetet tuaja, t’i përcjellni njoftimet e institucioneve, të ruani qetësinë në çdo situatë dhe të mos bini pre e dezinformatave”, ka shtuar shefi i ekzekutivit.