‘360 grade’/ Muçi dhe Çili, këta zara të Ramës për të denigruar Lubonjën

Fatos Lubonja është sot përsëri një i persekutuar politik. Ashtu sikundër ishte deri para viteve ’90. Ky është padyshim një fat i hidhur për Lubonjën, por edhe një tregues për regresin herë të dukshëm dhe herë të padukshëm ku po zhytet shoqëria shqiptare.

“Del në ekran kryeministri dhe thotë për të dhe për gazetarët e tjerë, se ju hani pula dhe vrisni pula dhe flisni kodra pas bregut.” Dhe as kush nuk reagon, për të mbrojtur gazetarin e fyer nga kryeministri, që ha peshk, ngjala, këput broçkulla, zhgaravit, kanabizon, jep me konçesione të dyshimta gjysmën e Shqipërisë, shkatrron, ve dinamit e tritol aty ku do, ngre piramida dhe shktraon arkeologjinë aty ku i teket, vetë intervistohet, vetëpëlqehet pa kufi dhe përsëri, gabim e paskan ata, që venë gishtin në plagët që hap ai.

Ngrihet sot, miku im, Mustafa Nano dhe e fyen publikisht Fatosin, për mendimet e tij. U ngrit dje Henry Çili po ashtu. Jam dakort, është e vështirë të ndash gjithmonë të njejtat mendime më Fatosin. Unë jam një nga ata, që kam rënë dakort por edhe kam debatuar fort me të, në kohra të ndryshme. Por ka diçka ndryshe në ekuacionion e debatit publik me Lubonjën. Idetë e tija, qofshin këto edhe të “gabuara” në periudha të ndryshme, të papërshtatshme apo radikale, nuk “fabrikohen për llogari të të tretëve” apo interesa palësh.

Në të vërtetë Lubonja, thotë të vërtetat e tij apo sendërton analizat e tij, që mund të jene të gabuara për disa, por duke ndjekur në mënyre të pamvarur rrjedhën llogjike të shqisave dhe të mendjes së tij.

Sepse Lubonja nuk e sulmon Ramën, për ti shërbyer Bashës dhe nuk e sulmon Bashën, për ti shërbyer Ramës.

Ndërsa ata që e sulmojnë Lubonjën, në një rrethanë apo në një tjetër, mbrojnë një sistem kundër një tjetri, sulmojnë Lubonjën për të relativizuar dhe për të vënë në diskutim, përfundimet e analizave të tija, që në këtë periudhë që jetojmë, bëhen gjithmonë e më dramatike.

Personalisht kam qenë jo rrallë, në kahje të kundërta mendimi dhe debati, me qëndrimet dhe përfundimet e analizave të tij. Por kam rrahur mendimet dhe nuk kam “rrahur” kurrë Lubonjën, përse e mendon kështu ose ashtu. Sulmet verbale ndaj tij sot, janë një tendencë linçimi, të vetë personit Lubonja dhe kjo është e rëndë dhe vërteton alarmin që vetë Fatosi jep në media.

Sepse mendoj që kur fillon kryqëzata e linçimit personal ndaj një figure si Fatos Lubonja, që ka virtyte, histori dhe rezistencë personale të papërsëritshme, dekadenca e një shoqërie është fundosur në llum dhe në mjerim.

Asnjë gazetar dinjitoz, nuk e ka sulmuar ndonjëherë Mustafa Nanon, kur aludonte jo pak herë që Sali Berisha, duhej hequr qafe me çdo kusht që të shpëtonte Shqipëria. Dhe lexova me keqardhje çfarë dhe si shkruante Muçi për Fatosin, edhe pa i përmendur emrin. Nëse nuk do të kishte një fushatë të mirëfilltë dhe të porositur kundër Lubonjës dhe nëse do të ishin në sherrin e një debatit televiziv, epitetet e Muçit mund të mbiquheshin edhe normale dhe do të merrnin një përgjigje të drejtpërdrejtë nga vetë Lubonja.

Por më duket nën nivelin e asaj që unë mendoj se përfaqson Mustafa Nano, që të hedhësh fyerje personale për kolegun, ndërkohë që ka të gjithë të drejtën, për të hedhur poshtë mendimet e tij. Unë vetë jam bërë objekt i rëndë sulmesh, me porosi ose me pasion, nga vetëdija apo nga padija, për shkak të bindjeve ose për shkak të keqdashjes. Herë jam përgjigjur dhe herë kam heshtur.

Porse Lubonja, rezistenca morale dhe individuale e të cilit, është unike ndër të gjallët në Shqipëri, si person, duhet shpallur i paprekshëm. Konkuroni apo djallosini idetë e tij, do të keni punë me Kohën dhe do të rrezikoni të harroeni shpejt në memorjen e përgjithshme kombëtare, por nuk lejohet të “ulet steka”, e të preket e të fyhet personi i tij, që ka marrë realisht kaq pak vlerësime, në këtë Shqipëri banditësh, të fortësh dhe drogaxhinjsh me pushtet. /360grade.al/