Pasi çertifikuan shkatërrimin e 99.8% të bimëve kanabis, Guardia di Finanza vjen sërish në Shqipëri

Policia Italiane dhe Guardia di Finanza kanë ardhur sërish në Shqipëri për monitorimin e territorit për vitin 2017 në kuadër të luftës kundër kultivimit të drogës në bashkëpunim me Policinë Shqiptare.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Haki Çako priti sot një delegacion të autoriteteve italiane, që do të monitorojnë territorin shqiptar gjatë këtij sezoni.

Gjatë fjalës së tij, Çako theksoi se lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës është prioriteti kryesor dhe në shumë zona ka nisur kontrolli i territorit për të parandaluar kultivimin.

Nga ana tjetër, komandanti i Repartit të 3 të Guardia di Finanza-s në Komandën e Përgjithshme të Guardia di Finanza-s, Joselito Minuto konfirmoi se do të ketë shtim të fluturimeve.

“Duke u bazuar në përvojën, ne jemi gati menjëherë të jemi operativë. Kemi llogaritur që këtë vit të kryhen 30% më shumë fluturime se vitin e kaluar.  Falë teknologjisë së avancuar kemi reduktuar kohën në maksimum përsa i përket përpunimit të të dhënave”,  tha Minuto.

Tani është momenti të kujtojmë se çfarë deklaroi vitin e kaluar Guarda di Finanza kur përfundoi monitorimin e territorit shqiptar.

Në konferencën për shtyp nga Tirana, në muajin tetor 2016 Guarda di Finanza konfirmoi se ishin shkatërruar 99.8% e bimëve narkotike kanabis sativa.

Kjo shifër dukej shumë e bukur për të qenë e vërtetë, aq sa u venit me kalimin e ditëve. Pa kaluar 1 muaj nga ky pohim me zë e figurë i zyrtarëve italianë, në nëntor 2016 u gjet një magazinë me më shumë se 3 tonë drogë në Mirditë.

Dhjetor 2016 – Rreth 5 tonë drogë u kapën në Itali të trafikuara nga Shqipëria

Janar 2017 – Kapet 3.7 ton kanabis në Itali në raste të ndryshme

Shkurt 2017 – Në Itali u kap kamioni me 10 ton kanabis i nisur nga Shqipëria

Mars 2017 – Kapen 7.8 ton kanabis në Itali të trafikuara nga Shqipëria; Në Berat gjendet një magazinë me 1 ton kanabis sativa

Prill 2017 – Në Karaburun gjendet 1.7 ton drogë; Në Mat zbulohen 2 ton kanabis; Në Përmet gjendet magazinë me 12 ton kanabis

Vetëm në periudhën Janar-Prill 2017 janë kapur në Shqipëri 31 ton kanabis sativa, kur disa muaj më parë Guarda di Finanza konfirmoi se ishte pastruar 99.8% e territorit. Me të drejtë lind pyetja sa të besueshme janë raportet e autoriteteve italiane në bashkëpunim me palën shqiptare për monitorimin e territorit nga ajri.