Diva shqiptare Ermonela Jaho në Operan Gala kushtuar legjendës Maria Kalas

"Sopranoja shqiptare me famë botërore Ermonela Jaho do të interpretojë në një mbrëmje Opera Gala në Athinë, dedikuar përvjetorit të lindjes të së adhurueshmes së përjetshme, Maria Kalas."

Lajmin e dha Ambasada shqiptare në Athinë: "Krenaria shqiptare, diva Ermonela Jaho së bashku me tenorin lirik amerikan Charles Castronovo, do t’i bashkohen programit të jashtëzakonshëm artistik dedikuar legjendës së shekullit të 20-të të operas Maria Kalas, me interpretues grekë dhe të huaj të suksesshëm në arenën lirike ndërkombëtare, ku do të ofrojë një performancë mahnitëse në Sallën e Koncerteve Megaron.

Bëhuni pjesë e këtij eventi për të shijuar përsosjen lirike të interpretimit të artistes Jaho dhe për të përjetuar një eksperiencë të paharrueshme muzikore!

Eventi do të zhvillohet më 3 dhjetor 2023, në Sallën “Christos Lambrakis” Megaron, ora 20:30."