Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, merr përgjegjësinë për sulmin në Banjskë

Milan Radoiçiq e ka pranuar se ka qenë në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ditën kur u sulmua Policia e Kosovës dhe që ka bërë të gjitha përgatitjet logjistike për ngjarjen e asaj dite. 

Ai e ka bërë këtë deklaratë përmes një letre të lexuar nga avokati i tij Goran Petronijeviq për publikun nga Beogradi të premten, njofton Koha.net 

“Po i njoftoj të gjithë persekutorët vigjilentë të popullit serb, prej Kurtit e te ndihmësit e tij të shumtë e të huaj, se unë personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër pushtuesit dhe ky akt i imi nuk ka asnjë karakter apo qëllim tjetër, dhe nuk ka të bëjë fare me të kaluarën time”, ka thënë Petronijeviq.

Sipas Petronijeviqit, që fliste në emër të Radoiçiqit, vrasja e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ishte "aksidentale", pas së cilës ka nisur “një përleshje e ashpër nga të dyja palët”.

Sipas letrës së Radoiçiqit, të lexuar nga avokati, ai pretendon se për sulmin nuk ka pasur dijeni as struktura qendrore në Serbi e as ajo lokale në veri të Kosovës. Radoiçiqi në letër thotë se "as nuk ka kërkuar ndihmë prej tyre". 

Avokati ka thënë se sulmuesit nuk janë “terroristë”, por “luftëtarë për lirinë e popullit të tyre”.

"Arsyeja e kthimit tonë ishte inkurajimi i serbëve, popullit të asaj zone, për t’i rezistuar terrorit të regjimit të Kurtit, duke mbrojtur njerëzit tanë, që çdo ditë i ekspozohen atij terror", ka thënë Petronijeviq duke lexuar letrën e Radoiçiqit. 

Nga përleshja mes Policisë së Kosovës dhe grupit të armatosur të dielën në Banjskë të Zveçanit, mbetën të vdekur rreshteri Afrim Bunjaku dhe tre sulmues. Në lidhje me ngjarjen, u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan në mungesë provash. 

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, pati publikuar një video në të cilën Radoiçiq shihet se ishte pjesë e grupit që kryen sulm të armatosur në Banjskë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar se Radoiçiqi ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe "për të mos dëmtuar më tej këtë parti". 

Gjatë ditës së sotme, autoritetet e Kosovës kanë kryer bastisje në pronat luksoze në veri që dyshohet se i përkasin Radoiçiqit. 

Radoiçiqi është në “listën e zezë” të SHBA-së. I ndalohet hyrja dhe të bëjë biznes në SHBA. Ai u vendos në listë për shkak të lidhjeve të dyshuara me krimin e organizuar transnacional.