Vazhdon të digjet nga zjarri, pylli i Pishporos në Fier

Vijojnë të jenë ende aktive dhe pas dy ditëve, vatrat e zjarrit në pyllin me pisha në Pishporo në Fier. 

Sipas shefit të Shërbimit Zjarrfikës të bashkisë Fier, Zija Hyka, gjatë gjithë natës në terren ka qëndruar në gatishmeri një efektiv i plotë zjarrfikësish për të mos lejuar përhapjen e flakëve drejt zonës së banuar, ndërkohë që mëngjesin e sotëm pranë vatrës së zjarrit ndodhen 4 mjete zjarrfikëse, forca mbështetëse të bashkisë, 9 punonjës të ADZM dhe 40 forca të armatosura të repartit të Poshnjes për te neutralizuar perimetrin e zjarrit. 

Po sipas Hykës, gjatë orëve të vona të mbrëmjes është riaktivizuar edhe një vatër zjarri në Darëzezë, e cila është neutralizuar falë ndërhyrjes së shpejtë.

Zjarri u riaktivizua mesditen e së mërkurës dhe vazhdon. I favorizuar nga era e fortë ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme në zonën e mbrojtur të pyllëzuar me pisha. Ndërkohë gjatë dy ditëve betejë me flakët është kërkuar vazhdimisht nderhyrje nga ajri, gjë që nuk është realizuar.