FOTO/ Kush ishte Martin Bardhi i vrarë sot, dhe hasmëria me fisin Reçi
Një breshëri kallashnikovi i mori jetën Martin Bardhit mesditën e kësaj të marte në lokalin e tij, në qendër të Rrëshenit.
62-vjeçari, i njohur edhe me mbiemrin Marku, ishte ulur në kafene me disa të afërm të tij kur 2 persona të maskuar, pasi lanë makinën përballë, u futën brenda dhe qëlluan mbi të.
Plumbat i shkaktuan vdekjen e menjëhershme Bardhit, ndërsa 3 personat e tjerë mbetën të plagosur. Ata u dërguan në spitalin e Traumës në Tiranë, për ndihmë të specializuar mjekësore.
Atentati zgjati vetëm pak sekonda. Me të zbrazur breshëritë, autorët u larguan. Makina e përdorur prej tyre u gjet e djegur në fshatin Gëziq të Mirditës.
Mjeti i llojit ‘Jeep Cherokee’ ngjyrë e zezë, për të cilin po kryen verifikime se kujt i përket dhe nëse është denoncuar e vjedhur, është djegur plotësisht.
Martin Bardhi Marku, është person i njohur për autoritetet, teksa në muajin mars të këtij viti bashkë me djalin dhe nipin e tij u përfshinë në një konflikt me armë zjarri në dalje të qytetit të Rrëshenit.
59-vjeçari u arrestua dhe sipas informacioneve kishte fituar lirinë në rrethana ende të paqarta disa kohë më parë, teksa në kërkim ishte djali dhe nipi i tij.
Drejtori i Policisë së Lezhës, Alfred Elezi, tha për mediat se hetimet janë në fazën e parë dhe po sqarohen konfliktet që fisi Bardhi ka pasur me fise të tjerë.
‘Jemi akoma në fazën e parë. Dihen konfliktet që ka pasur fisi Bardhi me fise të tjera dhe po punojmë për zbardhjen dhe identifikimin e autorëve’.
Policia tha se kishte nxjerrë në terren forcat speciale RENEA dhe FNSH, duke vendosur postblloqe në Rrugën e Kombit, në drejtim të Kukësit, të Laçit, Lezhës dhe Dibrës.