Rama këshillon mikun e tij Vuçiç: Bëre gabim që shpalle zi kombëtare

Kryeministri Edi Rama reagoi ndaj mikut të tij të ngushtë Aleksandër Vuçiç, pasi Serbia shpalli zi kombëtare pas vrasjes së tre terroristëve serbë nga Policia e Kosovës.

Rama sërish nuk e përmend fjalën akt terrorist dhe nuk e dënon këtë sulm të rëndë.

Por ai këshillon Vuçiçin duke i thënë se nuk duhej të shpallte zi, por të hetonte.

Kryeministri shqiptar vazhdon të flasë si një ndërkombëtar dhe jo si një drejtues shteti që e ka në Kushtetutë të mbrojë të drejtat e shqiptarëve.

“Zija e shpallur zyrtarisht në Beograd për pjesëtarët e grupit të armatosur që u asgjësuan nga forcat e sigurisë së Republikës së Kosovës, pasi nga ai grup iu mor jeta një efektivi të policisë është sinjali më i keq që Serbia mund t’i jepte rajonit dhe komunitetit euro-atlantik!

Në ndërkohën që duhet të kishte hapur një hetim serioz për anëtarët e atij grupi kriminal, lidhjet e tyre me trafikantët e armëve dhe me të tjerë individë apo entitete, në Serbi apo gjetkë, potencialisht të angazhuara në krijimin e një lëvizjeje të armatosur në Veriun e Kosovës, Beogradi me këtë shpallje zije që nuk ka asnjë lidhje me shekullin XXI, i fryn si asnjëherë më parë qysh prej vitit 1999, zjarrit të një konflikti të armatosur!” shkruan Rama.