Presidenti Begaj dekreton emërimet e tre ambasadorëve të rinj

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, me propozim të Kryeministrit, dekretoi sot lirimet e tre ambasadorëve dhe emërimet e ambasadorëve të rinj në vendet respektive.

Konkretisht, Begaj dekretoi lirimin e Donika Hoxhës nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Bullgarisë, rezident, si dhe nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Moldavisë, jorezident, dhe emërimin në këtë detyrë të Inid Milos.

Po ashtu, Presidenti liroi Gazmend Barbullushin nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Spanjës, rezident, si dhe nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Marokut, në Republikën Islamike të Mauritanisë dhe në Principatën e Andorrës, jorezident.

Në këtë detyrë kreu i Shtetit emëroi me dekret të veçantë Entela Gjikën.

Begaj liroi Virgjil Kulen nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Suedisë, rezident, si dhe nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Finlandës, Republikën e Islandës dhe në Mbretërinë e Norvegjisë, jorezident.

Në këtë detyrë Presidenti dekretoi emërimin e Albana Dautllarit.