Nga shitësi i hot-dogëve te CEO i bankës më të fuqishme në botë, kush është Lloyd Blankfein

Lloyd Blankfein ka lindur në Bronx. Gjatë fillimit të karrierës së tij, asgjë dhe askush mund ta parashikonte që ky njeri do të bëhej një ditë bankieri më i fuqishëm në botë dhe do të konsiderohej më i rëndësishmi në Wall Street.

Djali i një punonjësi të postës, ai u rrit në një lagje hebrejsh, ku ndante një dhomë me gjyshen e tij. Në verë ai punonte si roje plazhi dhe shiste hot dog dhe pije të gazuara jashtë stadiumit Yankee.

Por ai ishte i vendosur për t’ia dalë mbanë, prandaj e mbaroi shkollën, si një nga studentët më të mirë.

Dyert për në Harvard ishin të hapura, por ndryshe nga shumica dërrmuese e kolegëve të tij studentë, të cilët ishin ajka e Amerikës, me sjellje aristokratike, Blankfein-it iu desh të punonte në kafenenë e universitetit për të përfunduar studimet.

Pasi punoi për disa vite si avokat, ai shpejt u magjeps nga Wall Street. Megjithatë, kur në fillim të viteve 1980 ai dërgoi CV-në e tij në bankat më të mëdha të investimeve amerikane, Morgan Stanley, Dean Witter dhe Goldman Sachs, asnjë nuk i ofroi punë.

Duket ironike në retrospektivë, por Goldman Sachs refuzoi CEO-n e saj të ardhshëm. Në njëfarë mënyre, ai filloi punë në J. Aron, një kompani jo shumë e njohur mallrash, që, edhe pse së fundmi u ble nga Goldman Sachs, atëherë konsiderohej asgjë më shumë se një pjesë e vogël e bankës së investimeve.

Kreu 12-vjeçar i Goldman Sachs nuk është vetëm një nga bosët më jetëgjatë të bankave amerikane dhe një nga bankierët më të fuqishëm në botë, por edhe “i mbijetuari” i fundit i Wall Street.

Çuditërisht, menaxheri që duhej të “ringjallte” këtë bankë të plotfuqishme pas krizës së 2008-ës, kishte parë Goldman Sachs t’i mbyllte derën në fytyrë kur në fillimet e karrierës i dërgoi një CV për të kërkuar punë.

Në vitin 2006, kur paraardhësi i tij, Hank Paulson, la postin e CEO të Goldman Sachs për t’u bërë Sekretar i Thesarit në administratën e George Bush, Blankfein u ul në karrigen e CEO.

Në krizën e vitit 2008, Goldman Sachs-it iu desh të miratonte një paketë shpëtimi që tejkalonte 10 miliardë dollarë, por ishte e para nga bankat e Wall Street-it që mundi ta shlyente këtë ndihmë shtetërore brenda një viti.

Pasi mposhti krizën dhe kancerin, Blankfein siguroi edhe njëherë se “ai nuk ka ndërmend të vdesë në zyrën e tij”. Në vitin 2018, ai dha dorëheqjen si CEO, duke ia dorëzuar David Solomon.

Pra, çfarë bën një ish-bankier kur del në pension?

Në vitet e kaluara, rruga e një CEO në largim të Goldman Sachs për në Thesarin e SHBA dukej pothuajse automatike. Por kohët kanë ndryshuar dhe bankierët janë shumë “toksikë” për të qënë pjesë e qeverisë amerikane.

Vetë Blankfein kishte pranuar në një intervistë të mëparshme se do të ishte i interesuar për një pozicion qeveritar. Por siç tha ai, ai e kupton pse kjo nuk do të ndodhë.

Madje sot qarkullojnë skenarë për rikthimin e tij në Goldman Sachs, pas raportimeve se ai është i pakënaqur me detyrën e Solomonit.Megjithatë, ai ka hedhur poshtë çdo thashethem për një rikthim, duke e bërë të qartë se nuk ka dëshirë të punojë sërish 100 orë në javë